Deputetja

Blerta Deliu i përgjigjet Shefqet Krasniqit: Dola në konferencë, e bëra darkën, erdha në emision

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, i është kundërpërgjigjur hoxhës Shefqet Krasniqi, i cili të martën në një emision televiziv tha se gratë e kanë vendin në kuzhinë.

Deliu-Kodra ishte e ftuar në emisionin Frontal në T7, ku tha se me dëshirë do ta kalonte në kuzhinë shumicën e kohës, por arrin t’i bëjë edhe punët e shtëpisë e edhe ato që i ka si deputete.

“Unë me shumë kënaqësi jam në kuzhinë kohën më të madhe, por arrij të jem edhe te ju, arrij që të jem edhe përfaqësuese e qytetarëve që më kanë votu, por edhe përfaqësuese e denjë e shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Deliu-Kodra.

E pyetur se kush e ka përgatitur darkën sonte në shtëpinë e saj, Deliu-Kodra tha se këtë e ka bërë ajo, por krahas kësaj, ajo ka kryer edhe obligimet tjera jashtë shtëpisë.

“Natyrisht unë, e mbarova darkën, dhe kjo është deklaratë edhe për atë që e ka thënë njëri prej të apostrofuarve sot, besoni e kam mbaru darkën, i kam kry obligimet, isha në konferencë për shtyp, dhe jam shumë krenare që arrij çdo ditë të shoh të reja që më motivojnë edhe më shumë ashtu siç dikur më kanë motivuar emra të rëndësishëm që kanë avokuar që ky standard I krijuar të mos jetë standard që promovohet nga mediat”, deklaroi Deliu-Kodra në Frontal.

Këto deklarata të Deliu-Kodrës kanë ardhur pasi hoxha Shefqet Krasniqi të martën në një emision televiziv ka deklaruar se gratë e kanë vendin në kuzhinë, ndërkaq burrat në oda.