‘Blerje e votës’ me pare të shtetit – Në fushatë zgjedhore në Podujevë, Ministri i LDK-së premton 9 milionë euro investim për një spital

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj sot ka keqpërdorur pozitën e ministrit. Ai gjatë një vizite në Podujevë ka takuar kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, për kryetar të Podujevës, Nexhmi Rudari, ku ka premtuar ndërtimin e një spitali me vlerë 9 milionë euro.

Një premtim i tillë në kohë fushate shihet si një tendencë për të blerë votën e qytetarëve të Podujevës me paratë e taksapaguesve të Kosovës.

Vet ministri Zemaj ka publikuar në Facebook fotografi nga kjo vizitë.

Ai ka shkruar se gjatë takimit me Nexhmi Rudarin dhe me shtabin komunal emergjent, ka diskutuar për situatën epidemiologjike dhe menaxhimin e saj.

“Përderisa kemi 537 raste aktive, vazhdohet mobilizim edhe më i madh që lakorja e infeksioneve të ketë ulje. Gjatë takimit, kemi prezantuar edhe projektin për ndërtimin e Spitalit të Podujevës. Vlera e projektit është mbi 9 milionë euro”, ka shkruar Zemaj.

Ai ka thënë se qytetarët e Podujevës, përmes këtij spitali do të marrin shërbime si: Diagnostika (Laboratorët dhe Radiologjia), Ambulancat Specialistike, Shërbimi Emergjent, Mjekësia Interne, Kirurgji, Ortopedi, Gjinekologji dhe Neonatologji.

“Virusin e kemi ende prezent, angazhimi i të gjithëve, kryetarët e komunave, shtabet emergjente, task forcat nëpër shkolla, Policia e Kosovës, inspektoratet, janë esenciale për ta fituar luftën ndaj Covid 19”, ka thënë Zemaj.

https://www.facebook.com/zemajarmend/posts/3605168476196673