Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka folur për takimin që sot e pati më drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA) rreth përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor 2023/24.

Me anë të një postimi në Facebook, ajo ka deklaruar se lidhur me alokimin e fondeve për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore, u kërkua bashkëpunimin e shkollave, mësimdhënësve, prindërve dhe DKA-ve, në mënyrë që ky proces të realizohet me sukses.

“Deri tani në portalin e-kosova janë pranuar rreth 80,000 aplikime në platformën e cila do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator. Drejtorët Komunalë të Arsimit i njoftova se prindërve që tashmë kanë aplikuar për tekste dhe materiale, mjetet pritet t’iu deponohen në llogari para datës 1 shtator”.

“Lidhur me një nga sfidat kryesore në të cilën kanë hasur prindërit -aplikimi online për fëmijët që mbushin 6 vjeç pas 1 shtatorit, i sigurova se këto dhe të tjera ankesa po trajtohen me seriozitet dhe përkushtim nga ekipet mobile”, ka shkruar Nagavci.

Ndër tjera, ajo ka theksuar se shtëpitë botuese kanë konstatuar se ka tekste të mjaftueshme, dhe nuk do të ketë probleme me furnizimin e librarive.