Blerim Shala: Versioni ideal i Serbisë është që Kosova të bashkohet me Shqipërinë

Blerim Shala – këshilltari politik i Presidentit Hashim Thaçi, ka thënë se versioni ideal i Serbisë për marrëveshje përfundimtare është që Kosova të bashkohet me Shqipërinë.

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ai treguar se me këtë version Serbia nuk do të detyrohej ta njohë shtetësinë e Kosovës, por vetëm do të duhej ta bënte ripërkufizimin shqiptaro-serb.

“Versioni ideal i Serbisë është që Kosova të bashkohet me Shqipërinë. Është çudi qysh kanë mbërritur në këtë situatë ku për ta është më e pranueshme që Kosova të bashkohet me Shqipërinë sepse në atë rast nuk e ka obligim ta njoh shtetin e Kosovës”.

“Shqipërinë e ka njohur dhe pastaj do të ishte puna vetëm te ripërkufizimi shqiptaro-serb”.

“Por, çështja e shtetit të Kosovës është pakthyeshme – jo vetëm pse e themi ne, por e kanë thënë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca dhe Bashkimi Evropian – kjo temë është e kryer një herë e përgjithmonë”.

Shala ka thënë se mendon që rendi është të hapen letrat dhe të shqyrtohet se si duhet të arrihet deri tek momenti i njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne e dimë se delegacioni i Kosovës në shtator të vitit 2007 e ka propozuar atë marrëveshjen gjermano-gjermane”.

“Madje treshja e emisarëve specialë e patën përgatitur një dokument 14 pikësh të cilin e pat pranuar Moska që mos të ketë njohje formale, por mos ta pengojnë njëra-tjetrën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”.

“Sikur Serbia ta pranonte këtë marrëveshje, jam i bindur se në vitin 2008 ne do të hynim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara sepse Rusia ka qenë në rrethana tjera dhe për të ka ekzistuar parimi se çfarëdo që është e pranueshme për Serbinë është e pranushme edhe për Rusinë”.

“Mirëpo Koshtunica është ai që e ka prishur në moment të fundit marrëveshjen gjermano-gjermane”.