Blerim Latifi porosi për Luljeta Aliun, i tregon çka është Kraleva për banorët e Drenicës

Filozofi Blerim Latifi është përfshirë në debatin për Kralevën, duke thënë se emri Kralevë në Skenderaj ka të njejtën domethënie si Holokausti.

Në një shkrim në Facebook, Latifi e ka dhënë edhe arsyetimin e tij për këtë konstatim, duke treguar se pas vrasjes së Azem Bejtës pushteti serb kishte arritur që të themelojë një qytezë pikërisht në vendin ku ishte menduar të ndërtoheshin Sarajet Osmane.

“Pas vrasjes së Azem Bejtës dhe shuarjes së Lëvizjes Kaçake në Drenicë dhe në Kosovë, në vitin 1924, pushteti serb vendosi të themelojë një qytezë pikërisht në vendin ku ishte menduar të ndërtoheshin Sarajet Osmane me emrin Hamidie, e të cilave në vitin 1891 ua kishte vënë flakën Ahmet Delia duke i bërë rrafsh me tokë. Qyteza do të kishte funksione administrative dhe do të shërbente si vendbanim për kolonë serbë, të cilët Serbia po i vendoste gjithandej Kosovës, në kuadër të asaj që quhej reformë agrare, e që në fakt ishte plan i kolonizimit të Kosovës me serbë të sjellë nga pjesët tjera të Mbretërisë së atëhershme jugosllave. Me këtë, kuptohet, synohej ndryshimi i strukturës etnike të popullatës së Kosovës, e cila në shumicën e saj ishte shqiptare. Në fillim serbët kishin dilemë se çfarë emri t’i vinin qytetit të ri. Disa donin që ai të quhej Serbicë. Disa donin të quhej Kralevë e Vogël. Në fund u zgjodh emri Serbicë. Të dy emrat, në mënyrë shumë eksplicite, shprehnin qëllimin e pushtetit serb: serbizimin e territorit të Drenicës dhe kjo gjë duhej të fillonte qysh me emërtimin. Emri Kralevë në Skenderaj ka të njëjtën domethënie si emri Holokaust për hebrenjtë. Ai është një emër që kullon gjak.Prandaj mos ua përmendi këtë emër bashkëvendasve të mi, edhe kur nuk mendoni politikisht si ata, por edhe kur ata bëjnë ndonjë gabim, siç bëjnë të gjithë njerëzit e kësaj bote”, ka shkruar ai.