Blerim Latifi: Kjo është arsyeja pse Kurti erdhi në qeveri dhe pse po largohet nga ajo

Ish-këshilltari i Kadri Veselit, Blerim Latifi, ka deklaruar se Albin Kurti erdhi në pushtet si pasojë e gabimeve të tjerëve.

Latifi në rrjetin social Facebook ka shkruar se Kurti nuk ka përvojë në pushtet, besimi në intelektin e tij është i tepruar dhe është i rrethuar nga njerëz arrogantë e të padijshëm.

“Rotacioni i pushtetit, që rrjedh nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të pengohet me mjete jodemokratike. Do të ishte gabim fatal nëse do të tentohej një gjë e tillë. Si për Kurtin, ashtu edhe për vendin. Në rrethanat e reja politike, që janë krijuar nga mbrëmë, Kurtit i mbetet edhe një shpresë e vetme, shpresa se pushtetarët e rinj do të jenë aq të marrë sa t’i përsërisin gabimet e tyre të vjetra, të cilat kanë të bëjnë me keqqeverisjen, nepotizmin, klientelizmin dhe korrupsionin e shfrenuar”, ka shkruar ai.

Ai ka përfunduar duke deklaruar se nëse politikanët e tjerë nuk do i përsërisin gabimet e tyre, ylli politik i Kurtit do të humbas shkëlqimin e tij.