Sot u dha njoftimi se ka vdekur i mbijetuari i masakrës së Izbicës, Musafë Dragaj.

I ndjeri pati dëshmuar në Tribunalin e Hagës kundër kriminelit të luftës, Sllobodan Millosheviq.

Vdekja e 86 vjeçarit, po konsiderohet si humbje e radhës në betejën e drejtësisë për zbardhjen e krimeve të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, thotë se “ky rast duhet të shërbejë për ngritjen e vetëdijes së institucioneve se është koha e fundit që të intervistohen dëshmitarët e krimeve të luftës”.

“Ne e kemi intervistuar Musafë Dragajn, ai është një ndër të rrallët e mbijetuar nga masakra e Izbicës. Megjithëse dëshmia e tij është dokumentuar në tribunalin e Hagës, por edhe nga organizatat joqeveritare si puna jonë, ky rast do të duhej t’i alarmonte institucionet tona”, vlerëson Blakaj.

“Ky është një rast që do të duhej të shërbente për ngritjen e vetëdijes së institucioneve që është koha e fundit për intervistimin e dëshmitarëve dhe kjo punë duhet të bëhet me urgjencë sepse me kalimin e kohës mund t’i humbim edhe këto dëshmi jashtëzakonisht të rëndësishme”.

Blakaj e ka cilësuar si lajm të mirë njoftimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, për themelimin e Institutit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës.

Njësoj mendon edhe profesori i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu.