“Bjeshka e Moknës” projekti që ndërlidh Kosovën, Malin e Zi dhe Serbinë

Përmes projektit “Bjeshka e Moknës – perla e pazbuluar në shtegun Via Dinarica”, pritet që pjesë të Kosovës të Malit të Zi dhe Serbisë të ndërlidhen në një shteg, projekt ky që ka për synim zhvillimin e gjithmbarshëm të turizmit dhe që shton bashkëpunimin në mes komuniteteve.

Dragisha Mijacic, udhëheqësi i projektit, njëherësh drejtor i inTER-it, bëri të ditur se ky projekt kap vlerën prej 60 mijë euro, ku 54 mijë prej tyre janë grante.

Ai tha se me anë të këtij projekti synojnë të bëjnë shtegun Dinarika, që fillon nga Sllovenia deri në jug të Shqipërisë.

Mijacic: Projekti do të përfundojë në fillim të qershorit

“Ky projekt është grant, fonde të pakthyeshme nga bashkësia evropiane, impelemntuar nga Këshilli rajonal për bashkëpunim. Projekti është duke u zbatuar nga Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial dhe ne jemi duke realizuar këtë projekt me partnerët rajonal… Ky projekt zbatohet në 5 qytete: Istog, Pejë, Zubin Potok, Tutin dhe Rozhajë. Projektin e kemi filluar në nëntor të vitit 2018 dhe do ta përfundojmë në qershorin e hershëm të vitit 2019. Pra, ky është një projekt i shkurtë por që përmes tij synojmë të nisim një iniciativë afatgjatë, e cila kërkon edhe intervenime të gjata”, tha ai.

Lumturie Geci, nga Ministria e Industrisë dhe Tregtisë tha se pritet që të ketë edhe grante tjera, kryesisht në zhvillimin e turizmit.

Geci: ‘Bjeshka e Moknës’ kontribuon në zgjerimin e ofertës turistike

“Projekti ‘Bjeshka e Moknës’ kontribuon në zgjerimin e ofertës turistike në Kosovë, në tërësi dhe ndikon në zhvillimin e turizmit një hap përpara. Projektet rajonale janë shumë të dobishme pasi që kemi produkte turistike të përbashkëta dhe kultura të ngjashme në mes të popujve të Ballkanit dhe zgjojnë interesimin e vizitorëve nga vendet e largëta”, u shpreh ajo.

Masar Kabashi nga klubi alpin “Podgori”, tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm pasi që do të jetë pikë ndërlidhëse edhe me shtigjet tjera që ka vendi.

Kabashi: Përmes këtij projekti lidhim shtigjet tjera me vijën Dinarika

“Ne si klub, edhe komuna, e përkrahim projektin ‘Bukuroshja e Ballkanit’. Do të jemi mjaft të angazhuar që t’i dalim sa më parë deri në fund projektit dhe t’i zhvillojmë produktet tona që i ka komuna e Istogut dhe që të vijnë turistët ta vizitojnë vendin tonë”, tha ai.

Projekti “Bjeshka e Moknës – perla e pazbuluar në shtegun Via Dinarica” ka filluar në nëntor të vitit 2018 dhe pritet të përfundojë në maj të këtij viti./N.Jakupi/