Raporti i Progresit i Bashkimit Evropian për Kosovën për vitin 2024 do të jepte një pasqyre krejt tjetër për situatën në Kosovë, në rast se burimi i informatave për fusha të ndryshme në këtë raport do të ishin institucionet e Kosovës.
Ky është konstatimi i zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimit, kur të enjten në një konferencë për media u pyet se pse Kosova ka shënuar lëvizje pozitive vetëm në 10 nga 38 fusha në Raportin e BE-së për Kosovën.
Arsyetimi i Bislimit për mungesë të progresit, ishte se në raportin për vendin punojnë “shumë njerëz”, “shumë institucione” dhe ka “shumë të dhëna”, andaj sipas tij marrë për bazë këto fakte janë të “pamundura që të evitohen edhe gabime ndonjëherë”.
“Në rast se te segmenti që flet për Deklaratën për Personat e Pagjetur burimi i informatave të kishte qenë kryetari i Komisionit për Personat e Pagjetur, mendoj që përmbajtja do të kishte qenë krejt ndryshe, sepse ajo që ekziston në raport nuk përputhet me atë që ka ndodhur në terren”, ka argumentuar Bislimi.
Sipas tij raporti për vendin do të kishte krejt ndryshe rezultat në rast se burimi i informatave për ecurinë e procesit të dialogut do të kishte qenë ai, e jo i deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
“Besoj që raporti mund të kishte pasur krejt një përmbajtje tjetër”, shton ai.
Ai ndër të tjera ka vlerësuar se vlerësimi në Raportin e Progresit është në “masë të madhe subjektiv”.
“Në çdo fushë ka lëvizje, ka përparim, por pastaj në bazë të vlerësimit i cili në një masë është edhe subjektiv vlerësohet sesa duhet të jepet nota për këtë përparim, në rast se janë zbatuar tri ligje ‘ata quajmë progres të limituar apo deri diku progres apo progres të mirë’, këtu pastaj ka shumë mundësi që mund të ketë një mospajtim mes neve dhe palës evropiane”, ka shtuar ai./AP/







