Besnik Bislimi

Bislimi pas takimit: Të premten do të dorëzojmë propozim për çështjen e dinarit

Kryenegociatori Besnik Bislimi, pas takimit në Bruksel, ka thënë se të premten Kosova dhe Serbia do të dërgojnë propozime për çështjen e dinarit e javën e ardhshme pritet të diskutohet për to.

Bislimi u takua me emisarin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, të martën. Mes çështjeve, u diskutua edhe ajo për dinarin.

Pas takimit, Bislimi ka thënë se u dakorduan se si të vijohet rruga për të dalë nga ky ngërç.

“U dakorduam që deri të premten secila pale të sjellë propozimin e saj se si e sheh zgjidhjen afatshkurtër dhe se si të fillohet zgjidhja afatgjate e dinarit. Dhe pastaj javën e ardhshme do të mblidhemi sërish të diskutojmë se a mund të gjejmë hapësire që këto dy propozime të bëhen një propozim”, ka thënë ai pas takimit.

Sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës, në takimin e sotëm pala serbe ka thënë se nuk e njeh Marrëveshjen Bazike si të tillë.

“Ne në vazhdimësi duam të dëgjojmë edhe nga pala serbe se a kemi marrëveshje dhe a jemi të përkushtuar ta zbatojmë. Kryenegociatori serb iu bishtnua përgjigjes disa herë, në fund tha se për Serbinë është problematike marrëveshja pasi ka nene të cilat merren me statute, sidomos ato nene që tregojnë për respektimin e integritetit territorial, për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe të ngjashme. Në fakt, na u tha që Serbia nuk e njeh marrëveshjen si të tillë. Ai tha se për Serbinë është e pamundur të nënshkruhet një marrëveshje me Kosovën. Kur pastaj vetë pala serbe iu referua marrëveshjes së vitit 2013 të cilën e kanë nënshkruar, por Petkoviqi tha se ne nënshkruajmë marrëveshje vetëm aty ku s’diskutohen statutet”, ka thënë Bislimi.