Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka pritur sot në takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, një ditë pas vizitës së Emisarit Gabriel Escobar në Kosovë.

Përmes një komunikate të lëshuar për media nga kryeministria, thuhet se në këtë takim është riafirmuar partneriteti i ngushtë mes Kosovës dhe SHBA-së dhe kanë dhënë detaje për temat që kanë diskutuar.

Bislimi në këtë takim ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për marrëveshje me Serbinë për normalizim raportesh e që në qendër ka njohjen reciproke.

“U diskutua mbi procesin e dialogut të fasilituar nga BE dhe rrugën përpara, si vijimësi nga vizita konstruktive e zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, njëherësh i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Kosova vazhdon të mbetet palë aktive, me ide në proces, konstruktive, me vullnetin, gatishmërinë dhe përkushtimin për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, për normalizim të plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në komunikatë.

“Kosova e mirëpret gjithmonë interesimin dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës jemi aleatë në vlera dhe partnerë në qëllime”, përfundon komunikata.