Zëvendëskryeministri

Bislimi: Keqpërdorimi i liberalizimit mund ta dëmtojë Kosovën

“Në qoftë se kemi një keqpërdorim mbiproporcional të këtij instrumenti, mund të llogaritet që Bashkimi Evropian apo zona Schengen të marrin masa restriktive, të cilat pastaj e dëmtojnë gjithë vendin. Mendoj se këtu jemi duke e bërë një punë të mirë, duke treguar se çka nënkupton liberalizimi i vizave dhe çka nuk nënkupton, se si ajo mund të keqpërdoret”, ka thënë zëvendëskryeministri Bislimi

Masa kufizuese në dëm të Kosovës ka paralajmëruar zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, në rast të keqpërdorimit të liberalizimit të vizave, që do të nisë nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Në një konferencë për ndikimin, sfidat dhe mundësitë për bizneset e Kosovës nga liberalizimi, organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano- Kosovare, në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare, Bislimi theksoi se udhëtimi pa viza në zonën Schengen nuk duhet të keqkuptohet dhe të keqinterpretohet.

Aty u tha se liberalizimi i vizave nga 1 janari, ndikon drejtpërdrejtë në zhvillimin e qëndrueshëm të transferimit të aftësive profesionale të qytetarëve dhe bizneseve. Po kështu, u kërkua nga Qeveria që të organizojnë sa më shumë fushata informuese në qytete e vendbanime të ndryshme lidhur me liberalizimin e vizave.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se liberalizimi i vizave nuk duhet të keqpërdoret.

“Në qoftë se kemi një keqpërdorim mbiproporcional të këtij instrumenti, mund të llogaritet që Bashkimi Evropian apo zona Schengen të marrin masa restriktive, të cilat pastaj e dëmtojnë gjithë vendin. Mendoj se këtu jemi duke e bërë një punë të mirë, duke treguar se çka nënkupton liberalizimi i vizave dhe çka nuk nënkupton, se si ajo mund të keqpërdoret për qëndrim mbi limitet prej 90 ditëve dhe të përdoret për marrëdhënie pune”, ka thënë Bislimi.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës është duke mbajtur fushata informuese në gjithë vendin lidhur me liberalizimin e vizave.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se është lajm i mirë për kosovarët sepse ata mund të lëvizin lirshëm dhe do të kthehen të informuar për jetesën dhe kulturën perëndimore.

“Për shoqërinë është gjë shumë e mirë dhe liberalizimi i vizave do e godas Kosovën në mënyrë pozitive më 1 janar sepse është bërë në të gjitha vendet fqinje. Do t’i shohim të njëjtat efekte, disa njerëz do ta provojnë e disa do ta keqpërdorin, por shumica dërmuese do të shkojnë shpresojmë për të shikuar kampionatin evropian dhe do të kthehen”, ka thënë Rohde.

Ai ka treguar se personat të cilët kanë viza të punës mund ta marrin edhe familjen e tyre.

“Çdo person që migron dhe verifikohet se si është puna dhe vazhdon të qëndrojë aty, herët apo vonë do ta sjell edhe familjen. Për shembull, kur është fjala për Kosovën, në vitin e kaluar dhe këtë vit shifrat janë të ngjashme: ne kemi lëshuar rreth 80 mijë viza, 7 mijë prej tyre janë viza të punës dhe të tjerat janë viza për bashkim familjar që për një person qe emigron edhe 2 të tjerë, herët apo vonë do të vijnë tek familjet”, ka theksuar ambasadori gjerman.

Ndërkaq, Nora Hasani, drejtoreshë ekzekutive e Odës Ekonomike Gjermano- Kosovare, ka thënë se në konferencë janë analizuar tema të nxehta që janë të rëndësishme për sektorin privat në lidhje me migrimin e dhe mungesën e fuqisë punëtore.