Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi sot në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian gjatë fjalës së tij është pyetur edhe për zhvillimet politike të djeshme në Bruksel dhe edhe më konkretisht është pyetur për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.
Sipas planit evropian për dialogun, në pikën e 10 thuhet se të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të zbatohen dhe kjo nënkupton edhe atë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Propozimi ka 10 pika, njëra tyre është pika 10 thotë se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e mëhershme dhe ky është paragrafi ku Asociacioni i Komunave Serbe do të futej. Sidoqoftë, kjo marrëveshje, ose ky paragraf duhet të ndahet në tre hapa, fillimisht duhet të bëjmë listim të marrëveshjeve të kaluara që janë të përfshira në Bashkimin Evropian, së dyti duhet të bëjmë një listë të marrëveshjeve që janë implementuar, dhe së treti të shikojmë se cilat janë marrëveshjet që janë plotësuar plotësisht ose nuk janë plotësuar fare.”, thotë Bislimi.
Ajo që bie më tepër në sy ka të bëjë me faktin se Bislimi i referohet një letre të dërguar nga ish-Shefja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Frederica Mogherini e cila ishte dërguar në adresë të ish-kryeministrit të Kosovës atë kohë, Isa Mustafës.
“Një prej tyre e nënshkruar në prill të 2013, që është marrëveshja numër 16 në listën e marrëveshjeve, kronologjikisht, kjo është një marrëveshje për normalizimin që kërkon obligime të shumta nga të dy palët, një nga parakushtet është që të gjitha strukturat paralele duhet të zhbëhen. Një paragraf tjetër thotë që Serbia nuk do të pengojë Kosovën në rrugën e Bashkimit Evropian. Dhe ka paragrafë që kanë të bëjnë me Asociacionin që duhet t’i diskutojmë për kohën që t’i prekim këto kritere, dhe të marrim në konsideratë tri elemente kryesore; Asociacioni duhet të jetë në linjë me legjislacionin e Kosovës, gjithashtu me pozicionin e BE-së dhe është një qëndrim i dërguar nga Bashkimi Evropian, më konkretisht Frederica Mogherini ndaj kryeministrit të Kosovës atëherë për Asociacioni çka mund të jetë e çka nuk mund të jetë, dhe se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe e treta se nuk do të jetë nivel i tretë i qeverisjes.”, thotë Bislimi.
Por, letra të cilës i referohet Bislimi, ku thuhet se nuk do të ketë nivel të tretë të qeverisjes dhe se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive është zhvleftësuar nga vetë Bashkimi Evropian.
Në dhjetor të vitit 2021, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano në një prononcim për Express kishte deklaruar se nuk i takon Bashkimit Evropian të vendosë për kompetencat e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Për këtë do të dakordohen bashkërisht Prishtina dhe Beogradi në kuadër të diskutimeve të tyre për këtë temë”, kishte deklaruar Stano.
Pavarësisht kësaj, zëvendëskryeministri Bislimi, duke pranuar haptazi se Kosova do të formojë Asociacionin nëse plani evropian nënshkruhet nga të dy palët, i referohet këtij dokumenti tashmë jo-valid dhe të mohuar si të tillë nga vet Bashkimi Evropian si vendburim i kësaj letre.
Në letrën e dërguar ndaj Mustafës, të mban datën e 2 prillit të vitit 2015, Mogherini thotë se Asociacioni i Komunave do të jetë në përputhje me ligjin e Kosovës, nuk do të konstituoj nivel të tretë të qeverisjes dhe nuk do të ketë fuqi ekzekutive.








