Bislimi i PDK-së: Agoni do të ishte gjallë po të ishte testuar për koronavirus sikurse Albini

Donjet Bislimi, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës për rini, i është rikthyer ccështjes së testeve të pamjaftueshme në një postim që ka bërë në rrjetin social facebook.

Bislimi që për nga profesioni është doktor, ka thënë që një test kushton rreth 30 euro e po të kishte mjaftueshëm teste, të riatdhesuarit nuk do duhej të futeshin në karantinë por do ishin testuar në aeroport e mandej ishin dërguar në shtëpi. Prandaj thotë ai, që po të kishte teste mjaftueshëm Agon Musliu, 26 vjeçari nga Gjilani i vetëvrarë, do të ishte gjallë.

Këtu ai akuzoi kryeministrin dhe ministrat e tjerë të cilët kanë privilegjuar veten duke bërë testet për koronavirus të parët ndërkohë që testet në Kosovë ishin shumë të paktë. Ai tregon se Kurti dhe ministrat e tjerë kanë abuzuar me pushtetin sepse testet e pakta ishin përcaktuar për t’u “përdorur ose për ata që kanë pasur simptoma të infeksionit covid 19 ose kanë qenë persona të afërt të kontaktit me individët e infektuar ose kanë ardhur nga vatrat e nxehta të epidemisë”. Prandaj ai thotë se po të kishte pasur teste edhe për Agonin e jo vetëm për qeveritarët, ai do të ishte gjallë sepse do kishte shmangur tërësisht karantinën në Qendrën Studentore.

Postimi i plotë i Donjet Bislimit në facebook është si më poshtë:

Partia Demokratike gjatë gjithë kësaj kohe të pandemisë, i ka terhequr vëmendjen qeverisë e ka bërë thirrje për më shumë teste. Një test kushton rreth 30 euro e po të ishin blerë e përdorur më shumë teste për qytetarët e riatdhesuar, as nuk do të kishte fare nevojë për karantinimin e tyre. Do kishte mjaftuar që t’ua bënim testin në aeroport në mbërritje, kishim pritur për rezultatin e mandej shumicën që do dilte pa infeksion do ishte lejuar që të shkonte në shtëpi. Më shumë kushton mbajtja e të riatdhesuarve në karantinë për dy javë sesa një test i thjeshtë. Pra po të kishim teste mjaftueshëm, Agon Musliu do e kishte bërë në aeroport testin e do ishte sot në shtëpinë e tij në Livoç të Epërm të Gjilanit me të dashurit e tij.

Qeveria Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosja gjithmonë është thirrur në barazi e përkujdesje për grupet e margjinalizuara, por kur erdhën në pushtet u treguan elitar dhe ato pak teste që kishin në dispozicion, i përdorën më së pari për veten e tyre. Pra normalisht testet janë përdorur ose për ata që kanë pasur simptoma të infeksionit covid 19 ose kanë qenë persona të afërt të kontaktit me individët e infektuar ose kanë ardhur nga vatrat e nxehta të epidemisë. Kurti dhe qeveritarët e tij abuzuan me pushtetin dhe privilegjuan veten edhe pse nuk kishin asnjë nga këto kritere ia bënë vetes testet.

Prandaj, sot me të drejtë ngritet dilema se sikur testet të ishin në dispozicion për Agonin në kohën e duhur, e jo për Albulena Haxhiun, Xhelal Sveqlen dhe Arben Vitinë, ndoshta Agoni sot do të ishte gjallë. Po të kishte teste të mjaftueshme, nuk do të kishte fare nevojë që të riatdhesuarit të karantinohen në ato kushte mizerabël të papërshtatshme ku janë futur. Po të kishim më shumë teste, nuk do të kishte trajtim selektiv diskriminues në përzgjedhjen e atyre që detyroheshin të futeshin në karantinë dhe ata që lejoheshin të largoheshin prej saj ose mos të futeshin fare.
Karantimi si keqmenaxhim, duke futur dhe lëshuar qytetarë në bazë të preferencave politike, familjare dhe me urdhëra të ministrave të shkarkuar, është një nga pistat e hetimeve me të cilën do të duhet të merret prokuroria e shtetit. Një menaxhim i mirë, i luftës kundër pandemisë duke ndjekur këshillat e OBSH-së për më shumë teste, nuk do të lejonte që Agon Musliu të futej fare në karantinë sepse një test për të apo të gjithë të riatdhesuarit, e kishin bërë të panevojshme fare karantinën e tyre.