Bislimi e quan intelektual të shquar Martin Berishajn që citonte Dobrica Qosiqin, njeriun që shkroi për shfarosjen e shqiptarëve

Ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishajn, e ka marrë edhe një herë në mbrojtje Qeveria Kurti.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka cilësuar “konstrukt artificial” rastin e implikimit të Martin Berishajt në skandalin e shpëlarjes së parave, që përfshin miliona euro transaksione nëpër banka dhe qindra mijëra të bartura ‘cash’ mes Kosovës, Malit të Zi dhe Sllovenisë. Bislimi ka thënë se është turp se si zvarritet emri i një intelektuali të shquar.

“Ju e dini shumë mirë që rasti i Martin Berishajt është konstrukt artificial i ndërtuar nga subjektet politike në Kosovë. Nuk ka asnjë proces gjyqësor të nisur kundër tij. Është e paturpshme se si zvarritet emri i një intelektuali të shquar, siç është Martin Berishaj, me shpresën se mund të nxjerret ndonjë beneficion politik”, tha Bislimi.

“Sikur z. Berishaj të kishte prapa vetes ndonjë dënim, atëherë mund të flisni, por të gjitha këto janë spekulime dhe është dokumentuar qartë se s’ka asgjë të vërtetë në to”, shtoi ai.

“Intelektuali i shquar” i Besnik Bislimit ka diplomuar me citate të politikanit dhe shkrimtarit famëkeq serb, Dobrica Qosiq.

Në diplomën e tij, Berishaj e ka cituar hiç më pak se njeriun që njihet për elaboratet e tij antishqiptare, të cilat kanë frymëzuar madje edhe spastrimin etnik e keqtrajtimin e shqiptarëve gjatë kohës së ish-Jugosllavisë.

Berishaj, që kishte diplomuar në Fakultetin e Shkencave Sociale në Lubjanë të Sllovenisë në vitin 1986, e citoi Qosiqin që në hyrje, pikërisht në pjesën parahyrëse, ku të diplomuarit zgjedhin një citat frymëzues apo citat që ata e pëlqejnë më së shumti.

Më konkretisht citohet Qosiq, që të këtë thënë se sa e sikletshme është që vjen nga një familje që me këmbëngulësi ka lufuar për liri dhe bashkim.

“Është e mundimshme që me vetë lindjen të jesh pashpagueshëm borxh ndaj të vdekurve. Edhe më e mundimshme është të jesh për dikënd e përgjithçka fajtor, pse je nip, bir, paspasardhës i atyre që me entuziazëm e këmbëngulje, me vetëdije dhe lajthitje, luftuan për liri dhe bashkim…”, thuhet në citatin e Qosiq.

Akademiku serb Dobrica Qosiq, që ndryshe i referohen edhe si babai i kombit serb, ishte i njohur për qëndrimet e tij antishqiptare, ishte President i Jugosllavisë në periudhën 1992-1993. Ai ka vdekur më 18 maj 2014.