Përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës zhvilluan një videokonferencë, me fokus në tarifat gjithëpërfshirëse të shpallura nga presidenti amerikan, Donald Trump, për importet evropiane, shkruan Gazeta Sinjali.
Komisioneri i Tregtisë së BE-së, Maros Sefcovic, bisedoi për më shumë se dy orë me sekretarin amerikan të Tregtisë, Howard Lutnick, dhe përfaqësuesin e Tregtisë, Jamieson Greer.
Përmes një postimi në platformën X, Sefcovic e cilësoi diskutimin si “të sinqertë”.
“Isha i qartë, tarifat e SHBA-së janë të dëmshme, të pajustifikuara”, theksoi ai.
Sefcovic shtoi se marrëdhënia tregtare mes BE-së dhe SHBA-së kërkon një qasje të re, duke theksuar përkushtimin e BE-së për dialog, por edhe gatishmërinë për të mbrojtur interesat e veta.
““Marrëdhënia tregtare BE-SHBA ka nevojë për një qasje të re. BE-ja është e përkushtuar ndaj negociatave domethënëse, por gjithashtu e përgatitur për të mbrojtur interesat tona”, tha ai, duke përfunduar me fjalët: “Ne qëndrojmë në kontakt”.
Detajet e tjera nga takimi nuk janë bërë ende publike nga asnjëra palë.
Presidenti Trump njoftoi të mërkurën një tarifë bazë prej 10% për importet nga shumica e vendeve, ndërkohë që BE-ja është goditur me një tarifë prej 20% për mallrat e saj të eksportuara në SHBA.







