Biografia e Ruzhdi Shehut, pretendentit kryesor për ta fituar garën për kryetar të Junikut

Kosova nga sot ka hyrë zytarisht në fushatën zgjedhore të zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 17 tetor.

Pjesë e kësaj gare është edhe Ruzhdi Shehu, i cili garon për kryetar të Junikut si kandidat i LDK-së.

Shehu shihet si pretendenti kryesor për ta fituar garën për të parin e Junikut.

Se kush është Ruzhdi Shehu, më poshtë gjeni një pjesë nga biografia e tij:

Ruzhdi Shehu (LDK) – Kandidat për Kryetar të Komunës së Junikut

I lindur më 15 shkurt 1961 në Junik, i martuar dhe prind i katër (4) fëmijëve. Z. Ruzhdi Shehu ka kryer shkollën fillore në Junik ndërsa shkollën e mesme në Gjimnazin “Vllezërit Frashëri” në Deçan. Studimet themelore i ka përfunduar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ndërsa Studimet Postdiplomike (Master) i përfundoi në Fakultetin e Administratës Publike dhe Shkencave Politike të Universitetit të Evropës Juglindore. 

Z. Ruzhdi Shehu është Udhëheqës i Sektorit për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve në MTI. Gjatë viteve 2008-2014 ka qenë Kryeinspektor i Inspektoratit të Tregut në MTI. Ndërsa gjatë viteve 2006-2008 ka qenë Kryeshef i Ekzekutivit në Komunën e Junikut. Gjatë viteve 2003-2006 ka qenë Inspektor Tatimor dhe Menaxher i Njësisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj të Kosovës pranë Administratës Tatimore të Kosovës. Gjatë viteve 1992-1999 ka qenë Kryetar i Këshillit Komunal për Financim në ish-sistemin paralel në Junik. Ndërsa gjatë viteve 1985-1994 ka qenë udhëheqës i përgatitjes operative të prodhimit në Fabrikën e tekstilit“Junitex” në Junik.

Z. Ruzhdi Shehu është themelues dhe anëtar i degës së LDK në Junik ndërsa që nga viti 2009 është edhe kryetar i degës së LDK në Junik. Në vitet 2007 dhe 2019 ka qenë kandidat për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Prej vitit 2001 deri në 2006 ka qenë Këshilltar Komunal në Kuvendin Komunal të Deçanit nga rradhët e LDK-së.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, z. Ruzhdi Shehu është Kandidat për Kryetar të Komunës së Junikut.