Shefi i microsoft

Bill Gates mbron Kinën: Bëri gjërat e duhura në fillim të pandemisë

Është shumë herët për të folur nëse Kina ka faj për shpërthimin e koronavirusit dhe përpjekja për të gjetur fajtorin në Kinë është thjesht “shpërqendrim”. Kështu mendon Bill Gates, i cili kritikoi disa gjëra “të pasakta dhe të padrejta” që janë thënë në lidhje me Partinë Komuniste kineze.

Në një lidhje direkte me CNN, Gates deklaroi: “Kina ka bërë shumë gjëra ashtu siç duhet në fillim, ashtu si çdo vend ku ka dalë virusi ditët e para. Të gjitha shtetet mund të kthejnë kokën pas dhe të dallojnë sot se ku kanë gabuar. Për shembull, SHBA nuk e menaxhoi mirë situatën në krahasim me vendet e tjera, të cilat e minimizuan dëmin ekonomik. Por, nuk është koha për të folur për këtë gjë tani”.

Gates shtoi: “Tani është koha për testime, trajtime, vaksinë… Çdo gjë tjetër është shpërqendrim. Ka shumë gjëra të pasakta dhe të padrejta që janë thënë, por edhe për këtë nuk është koha që të flasim tani”.

Bashkëthemeluesi i Microsoft mbrojti, gjithashtu, edhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), që është akuzuar se është treguar e butë me Kinën.

“Pas disa kohësh, do të shohim se OBSH-ja mund të kishte bërë më mirë disa gjëra, ashtu si çdo aktor tjetër në të gjithë këtë situatë. Por, puna e saj ka qenë fenomenale”, u shpreh Bill Gates.