BIK-u synon të fillojë ndërtimin e Xhamisë Qendrore pa lejen e komunës

Në tetor të vitit 2012 u vunë themelet për ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë, por tani, janë bërë më shumë se 6 vite e ndërtimi i saj ende nuk ka filluar.

Lokacioni i kësaj xhamie është në lagjen “Ulpiana”, afër objektit të Telekomit të Kosovës, por një kohë e saktë për nisjen e punimeve ende nuk dihet.

Në lidhje me këtë çështje lajmi.net ka kontaktuar me zëdhënësin e BIK-ut, Ahmet Sadriu, i cili nuk ka dhënë përgjigje të qartë.

“Dimër e borë është. Kemi shumë shpresë që në pranverë të fillojë puna”, është shprehur Sadriu për lajmi.net.

I pyetur nëse është e sigurt që punimet e ‘Xhamisë Qendrore’ fillojnë me fillim të pranverës, përsëri Sadriu nuk ka dhënë përgjigje.

“Asgjë tjetër nuk mund të jap, përveç që kemi shpresa që puna fillon në pranverë”, përfundoi ai.

Ndërsa, zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë se BIK-u ende nuk ka aplikuar për leje në komunë për ndërtimin e kësaj xhamie.

“BIK ende nuk ka aplikuar për leje të ndërtimit”, ka thënë Tahiri shkurt për lajmi.net.

Deri më tani BIK, i ka marr nga Komuna vetëm kushtet ndërtimore, çka do të thotë se pos pastrimit të punishtes që është bërë dhe rrethimit të saj, aty nuk mundet të nisë ndërtimi pa u siguruar leja ndërtimore.

Ndërtimit të kësaj xhamie i kishin paraprirë një varg protestash nga komuniteti mysliman, të cilit kishin kërkuar që ky objekt kulti të ndërtohet përballë Katedrales “Nënë Tereza” në oborrin e fakultetit Filologjik. Mirëpo pas konsultave ndërmjet kryetarit të Prishtinës dhe kryetarit të Bashkësisë islame të Kosovës është arritur konsensus që xhamia të ndërtohet në lagjen Ulpiana.

Kjo xhami do të financohet dhe do të ndërtohet nga Bashkësia Islame Turke, ndërsa kostoja e saj vlerësohet të jetë prej 35 deri në 40 milionë euro.