BIK shpall një objekt fetar Xhami-Muze

Bashkësia Islame e Kosovës(BIK) ka vendosur që Xhaminë e Pajtimit në Bubavec të Malishevës është shpallur Xhami-Muze.

Në lokacionin e kësaj xhamie në vitin 1990 ishte mbajtur njëri ndër tubimet më të mëdha në Kosovë për pajtimin e gjaqeve e ngatërresave ku ishin falur rreth 50 gjaqe e shumë ngatërresa ndërmjet shqiptarëve të rrethinës.

Në shenjë hakmarrjeje forcat kriminale serbe posa u ishte dhënë rasti, më 22 gusht 1998 ia kishin vënë zjarrin asaj, ndërkohë që menjëherë pas luftës ishte bërë renovimi i saj.

Imami i xhamisë së Bubavecit, Xhevat Kryeziu tha për Ballkanin.info se kërkesën e tij dhe xhematit e ka miratuar Bashkësia Islame e Kosovës(BIK), dhe është vendosur që xhamia të jetë Xhami-Muze.

“Ne kemi bërë kërkesë, BIK e ka miratuar duke e qëndruar Xhaminë e Bubavecit në Xhami-Muze. Do të vinë materiale tjera dhe kjo xhami do të kompletohet.

Poashtu, imami tha se kjo ide u prit shumë mirë nga qytetarët për rreth.

“Është pritur shumë mirë kjo ide e cila u miratua, shumë shpejt do ta bëjmë kompletimin. Do ta kemi një Xhami-Muze për rolin e saj që ka pasur në aktivitetet kombëtare”, përfundoi imam Kryeziu.

Gjatë viteve 90’ta, shumë xhami luajtën rol të rëndësishëm kombëtar në pajtimin e gjaqeve që përçanin shqiptarët gjatë shekullit të kaluar. /Ballkani.info/