Bie trendi i ikjes së mjekëve nga Kosova

Shëndetësia vazhdon të jetë njëri ndër sektorët me më së shumti probleme në Kosovë. Kushtet në qendra mjekësore, pajisjet e vjetërsuara, ankesat e pacientëve që presin me orë për kontrolle janë vetëm disa prej tyre.

Por, tani është edhe një brengë tjetër që muajve të fundit mori vëmendjen e të gjithëve, shkruan Indeksonline.

Bëhet fjalë për ikjen e dhjetëra mjekëve dhe infermierëve, që lanë vendlindjen për një jetë dhe punë më të mirë në perëndim.

Madje, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ditë më parë kishte thënë se sipas statistikave që posedon, nga shkurti e deri në gusht, 99 mjekë kanë marrë certifikatë që lëshohet nga oda e mjekëve për të ikur dhe punuar jashtë vendit.

Pavarësisht numrit të madh dhe ankesave për mungesë të mjekëve, në Ministri të Shëndetësisë thonë se trendi i ikjes ka shënuar rënie.

Këshilltari i ministrit Ismaili, Albatrit Matoshi ka thënë për Indeksonline se shumica e mjekëve kanë shkuar në Gjermani për të punuar.

“Është e vërtetë që më parë ka pasur një numër më të theksuar të mjekëve dhe infermierëve të cilët kanë shkuar nga Kosova në Gjermani për të punuar. Arsyet nuk mund t’i dimë të gjitha, pasi që disa prej tyre mund të jenë edhe personale, megjithatë, natyrisht se në largimin e tyre kanë ndikuar dallimi në paga në mes të Kosovës dhe Gjermanisë, kushtet e punës të cilat nuk i kanë pasur më të mirat më parë etj. Këtë vit, ky trend i ikjes së profesionistëve shëndetësor është në rënie”, ka thënë Matoshi.

Sipas tij, plani i Ministrisë së Shëndetësisë për të minimizuar ikjen e mjekëve nga Kosova tashmë është në zbatim.

Ai ka numëruar disa nga hapat që ministria ka ndërmarrë në mënyrë që të ndikoj që mantelbardhët mos të largohen nga vendlindja. Sipas tij janë tre hapa që MSH ka planifikuar të ndërmarr.

– Përmirësimi i kushteve për profesionistët shëndetësor. Rinovimi i Klinikave (Shih shembullin e Klinikës Emergjente) dhe hapësirave të punës, ku profesionistët shëndetësor do të kenë kushte më mira për të ushtruar profesionin e tyre.

– Modernizimi i pajisjeve dhe rritja e sigurisë në punë. Vetëm këtë vit, janë blerë 3.5 milionë euro pajisje në mënyrë që profesionistët shëndetësor të ofrojnë shërbime më cilësore dhe më të sigurta dhe ku do të mund të maksimalizojnë njohuritë e tyre profesionale.

– E treta, por jo më pak e rëndësishmja, rritja e mirëqenies së profesionistëve shëndetësor. Tashmë është nënshkruar kontrata kolektive me Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, ku është bërë një rritje e ndjeshme e pagesave të kujdestarive për profesionistët shëndetësor. Kurse, e gjithë kjo punë pritet të konkretizohet me rritjen e pagave për ta. Tashmë projektligji që garanton rritjen e pagave për profesionsitët shëndetësor ka kaluar në Qeveri, dhe në momentin që do të votohet në Kuvend, do të rriten pagat për të gjithë mjekët dhe infermierët, duke rritur kështu edhe mirëqenien dhe duke u kthyer dinjitetin atyre.

Matoshi ka theksuar se Gjermania po absorbon mjekë dhe infermierë jo vetëm nga Kosova dhe rajoni, por nga e gjithë Evropa.