Bie sërish nga sistemi blloku A3 i Termocentralit “Kosova A”, dëme marramendëse

Kosovën mund ta presin sërish ditë të vështira në furnizimin me energji elektrike. Kjo pasi ka rënë sërish nga sistemi blloku A3 i Termocentralit “Kosova A”. I njëjti u kthye në funksion vetëm pak ditë më parë, pa u kontrolluar mirë, duke shkaktuar kështu dëme të jashtëzakonshme.

Demokracia.com ka mësuar se ky bllok ishte kthyer shpejt e shpejt në funksion, pa u kontrolluar mirë, duke rritur kështu edhe më shumë koston e shpenzimeve, pasi që vetëm për një startim të tij nevojiten rreth 70 mijë litra naftë ose mbi 100 mijë euro kosto.

Blloku A3 prodhon 130 MWh, ndërsa importi i 130 MWh me çmimet aktuale për 24 orë kushton hiç me pak se rreth 1 milion euro.

Kjo do të thotë se momentalisht janë duke u prodhuar më pak se 500 MWh, shifër e pamjaftueshme për t’i plotësuar nevojat e qytetarëve.

Ndryshe, më 16 shtator, Demokracia.com kishte raportuar se kishte rënë nga funksioni blloku A3 i Termocentralit “Kosova A”. Kjo ishte mbajtur fshehtë nga KEK-u.

Pas raportimit të Demokracia.com, KEK-u u detyrua ta pranojë dhe të japë sqarime gjysmake, duke e fshehur që pas mesnatës kur do të ndalej blloku A3 kishin planifikuar reduktime të energjisë elektrike, gjë që ishte konfirmuar qysh në ditën e nesërme.

“Korporata Energjetike e Kosovës njofton se njësia A-3 është në punë por planifikohet për ndalje 4-5 ditore. Lidhur me këtë, KEK ka ndërmarr të gjitha masat e nevojshme për mbulimin e mungesave të planifikuara, kështu që nuk pritet të ketë reduktime të energjisë elektrike”, thuhej ndër të tjerash në atë komunikatë./Demokracia.com/