Bie numri i pacientëve me gjendje kritike në Itali

Numri i pacientëve në kujdes intensiv në Itali ka rënë për herë të parë, thotë kreu i departamentit të mbrojtjes civile të vendit, Angelo Borrelli, raporton BBC.

Italia konfirmoi 681 vdekje të tjera të shtunën, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 15,362.

Por, Borrelli tha se numri i pacientëve me gjendje kritike ka rënë nga 4,068 sa ishte të premten në 3,994, të shtunën.

“Kjo është një pikë shumë e rëndësishme për shkak se shifra është duke u zvogëluar për herë të parë”, tha Borrelli.

“Është e rëndësishme sepse kjo lejon që spitalet tona të marrin frymë. Kjo është hera e parë që kjo shifër ka rënë që nga fillimi i menaxhimit të urgjencës”, tha ai.

Numri i rasteve të regjistruara si të infektuar më 4 prill ka qenë 2,886.

Banorëve në rajonin verior të Lombardisë tani do t’u kërkohet të mbajnë maska mbrojtëse ose të mbulojnë fytyrat kur të dalin jashtë.

Masa e re hyn në fuqi të dielën dhe do të zgjasë deri më 13 Prill.

E gjithë Italia është në izolim, por Lombardia – epiqendra e virusit në Evropë – ka pasur kufizime më të ashpra në lëvizje dhe biznes.