Nafta

Bie çmimi i derivateve në Kosovë

Rënia e çmimeve të derivatëve të naftës në bursën ndërkombëtare, po reflekton dhe në çmimet e derivateve në Kosovë. Kështu ka pohuar kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani.

Ai thotë se nuk mund të paragjykojë se si do të jenë çmimet e derivateve në ditën në vijim, pasi që ka lëvizje të mëdha në berzë dhe Organizatën Prodhuese OPEC.

“Sot çmimet në Kosovë janë dieseli nga 1.39 cent deri në 1.45 cent. Ndërsa benzina 1.32 deri ne 1.38 cent. Çfarë çmime do të kemi në ditën në vijim s’mund të paragjykojmë, për shkak se po ka lëvizje të mëdha në Berzë dhe Organizaten Prodhuese OPEC. Çmimet janë në rënie dhe se kjo po reflekton edhe tek ne në Kosovë”, ka thënë Berjani për Reporteri.net.

Pavarësisht rënies, Berjani thotë se çmimet aktuale vazhdojnë të larta për qytetarët e Kosovës, dhe sipas tij çmimi prej 1 eurove për naftë do të ishte normal.

Ndryshe, çmimet e naftës së papërpunuar në ShBA ranë të martën nën 78 dollarë për fuçi, për të arritur pikën më të ulët që nga korriku, pasi të dhënat e dobëta ekonomike globale errësuan shqetësimet se lufta Izrael-Hamas mund të shpërthejë në një konflikt më të gjerë rajonal.