Bideni i siguron votat e Wisconsinit, pas rinumërimit të kërkuar nga Trumpi

Procesi i rinumërimit të votave në shtetin e Wisconsinit, i kërkuar nga republikani Donald Trump, ka përfunduar të shtunën në favor të presidentit të zgjedhur, Joe Biden.

Pas numërimit në Milwaki County, Bideni ka siguruar 132 vota shtesë, prej afro 460 mijë sa janë dhënë aty. Në këtë zonë, Bideni ka fituar në total 257 vota, kundruall Trumpit që mori 125.

Fushata e Trumpit ka kërkuar rinumërim në dy prej vendeve më të populluara dhe me shumicë demokrate në Wisconsin, pasi e humbi këtë shtet nga Bideni, për më shumë se 20 mijë vota. Demokrati Biden ka fituar zgjedhjet e 3 nëntorit me 306 vota elektorale.

Ndërsa Trumpi ka marrë 232 sosh. Disfatën në Wisconsin, Trump e pësoi vetëm një ditë pasi Gjykata Federale e Apelit e refuzoi kërkesën e fushatës së tij për ta bllokuar shpalljen e Bidenit fitues në Pensillvania.

Me këtë, presidentit në largim ka pësuar goditje të rëndë për sa u përket përpjekjeve për kontestimin e rezultateve zgjedhore. Në sinjalin e parë të gatishmërisë për t’iu bindur rezultateve, Trumpi ka thënë të premten se do të largohet nga Shtëpia e Bardhë po qe se Kolegji Elektoral voton për Bidenin në takimin e 14 dhjetorit.