Bideni heq bllokadën ndaj udhëtarëve nga shtetet myslimane

Në ditën e parë të detyrës si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, demokrati Joe Biden ka nënshkruar urdhra ekzekutivë dhe memorandume për t’i shfuqizuar disa prej politikave më përçarëse të pararendësit të tij, Donald Trump.

Në mesin e tyre është edhe heqja e ndalesës së udhëtimeve në SHBA për qytetarët nga vendet me shumicë myslimane.

Në vitin 2017, Trumpi kishte nënshkruar urdhrin që ua ndalonte hyrjen në vend udhëtarëve nga shtatë shtetet me shumicë myslimane.

Kjo ndalesë ishte ndryshuar disa herë ndërsa ishte mbështetur edhe nga Gjykata Supreme gjatë vitit 2018.

Pak pas inaugurimit në Capitol gjatë të mërkurës, Bideni nënshkroi 15 urdhra ekzekutive që kanë për qëllim riparimin e dëmeve të shkaktuara nga administrata katërvjeçare e Trumpit.

Pas nënshkrimit Bideni ka deklaruar se nuk duhet humbur kohë për të vepruar ndaj këtyre politikave përçarëse të Trumpit.

Edhe gjatë betimit të së mërkurës ai ishte zotuar të ishte president i të gjithëve, duke e vënë posaçërisht theksin tek unifikimi i vendit në ndasi dhe rikthimit të pozitës amerikane prej udhëheqësi në botë.