Bideni e kërkon maskën në foltore e mes letrash, sigurimi i sjell një tjetër

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i shpenzoi rreth 30 sekonda duke e kërkuar maskën e vet gjatë një paraqitjeje në mjedis të hapur në Georgia. Ai e kërkonte maskën në foltore dhe mes fletëve të fjalimit.

“Po e kërkoj maskën, jam në telashe”, tha Biden para mikrofonit, përderisa e vazhdonte kërkimin në foltore dhe përreth saj. Ngjarja qesharake ndodhi të enjten, kur po shënohej 100-ditëshi i administratës Biden në Shtëpinë e Bardhë.

Pasi presidenti e përfundoi fjalimin, në skenë iu bashkuan dy senatorët e Partisë Demokratike nga Georgia, Reverend Raphale Warnock dhe Jon Ossoff. Megjithatë, Bideni për disa sekonda nuk u mor me ta, sepse po e kërkonte maskën.

Atij pastaj i doli në ndihmë bashkëshortja, Jill Biden, e cila i shfletoi letrat e fjalimit, por nuk arriti që ta gjente maskën, shkruan Daily Mail.

Pas pak çastesh, një ndihmës ngjitet në skenë dhe i jep një maskë të re presidentit, i cili më në fund duket i çliruar nga momenti i pakëndshëm.

Ndonëse presidenti amerikan i ka marrë të dyja dozat e vaksinës për Covid-19, Qendrat për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në ShBA këshillojnë që edhe të vaksinuarit ta mbajnë maskën në fytyrë, kur marrin pjesë në tubime në mjedis të hapur me numër të madh të njerëzve, si koncertet apo organizimet sportive.