Bideni afër shifrës prej 80 milionë votash

Joe Biden është duke iu afruar shifrës historike prej 80 milionë votave në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me votat që ende po numërohen. Kandidati i Partisë Demokratike tashmë ka thyer rekordin për më së shumti vota në histori të garës presidenciale në SHBA.

Pavarësisht se të gjitha projeksionet po e nxjerrin fitues Bidenin, që deri tash ka më shumë se 79.6 milionë vota, presidenti Donald Trump po refuzon të pranojë rezultatin. Ai po konsideron se në zgjedhje ka pasur mashtrime.

Edhe Trumpi, si humbës, ka marrë rekord vota për një kandidat që humb zgjedhjet.

Me më shumë se 155 milionë vota të numëruara dhe Kaliforninë e New Yorkun si bastione të demokratëve, ku ende po vazhdon numërimi, dalja në votime ishte më shumë se 65 për qind e atyre me të drejtë vote. Kjo ishte shifra më e lartë që nga viti 1908, sipas të dhënave të Associated Press.

Rritja e votës popullore për Bidenin dhe dallimi gati 6 milionë në krahasim me Trumpin i ka lënë në hije pretendimet e presidentit se ai ishte fituesi real i zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Trumpi ka bërë deri tash 30 ankesa për zgjedhjet, ndërsa 19 prej tyre janë refuzuar apo tërhequr.

Nëse përllogaritet Georgia, ku Bideni po udhëheq me 0.3 për qind të votave dallim ndaj Trumpit, rezultati në votë elektorale do të ishte 306 me 232 për Bidenin. Kjo është margjina identike me të cilën Trumpi fitoi më 2016 ndaj Hillary Clintonit.