Biden para katër vjetësh: Çdo pasardhës i imi do ta vizitojë Kosovën

Joe Biden sipas të gjitha gjasave do të jetë presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Me zgjedhjen e tij, përveçse në Amerikë, ka entuziazëm edhe në shumë vende të tjera në botë, përfshirë edhe në Kosovë.

Dhe sigurisht, entuziazmi në Kosovë është i arsyetueshëm, sidomos nëse kemi parasysh deklarimet e tij rreth Kosovës në veçanti, si dhe shqiptarëve në përgjithësi.

Në këtë drejtim kujtojmë një vizitë të tij, rreth katër vite më parë.

Biden njihet si njëri prej përkrahësve më të mëdhenj të Kosovës, dhe në respekt të tij, qeveria e Kosovës e kishte emëruar një magjistrale, me emrin e djalit të tij të ndjerë, Boe Biden.

Pas kësaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, në vitin 2016, ai kishte përmendur të gjitha arsyet se pse ai dhe familja e tij e duan Kosovën.

Ai ka thënë se vitet do të kalojnë por çdo pasardhës i familjes së tij do ta vizitojë Kosovën dhe do shohin rrugën e emëruar në emër të djalit të tij Beau Biden.

“Këtë javë unë dhe familja ime kishim nderin të qëndronim përkrahë popullit të Kosovës ku ata na nderuan duke emëruar një rrugë në emër të djalit tonë”, kishte shkruar ai në gusht të vitit 2016.

Beau ishte vullnetar për të qenë njëri nga përfaqësuesit e SHBA-ve në Kosovë, duke ndihmuar kështu në trajnim të Institutit Gjyqësor të Kosovës, i cili vazhdon të funksionoj sot.

Në atë kohë kur plagët e luftës ishin ende të freskëta dhe vendi ishte i shkatërruar, sistemi i drejtësisë ishte i ngecur.

Dhe sipas Biden, Beau luajti një pjesë të rëndësishme në këtë sistem duke ndihmuar që krimet e luftës të ndiqen penalisht dhe më e rëndësishmja ishte që këto krime të ndiqeshin në bazë të provave dhe jo emocioneve.

“Unë kam qenë gjithmonë krenar me të, por kurrë nuk kam qenë më krenar se sa atëherë kur isha bashkë me të në Kosovë. Ai dhe vëllau i tij janë të njëjtë- njerëz të guximshëm. Nëna ime kishte një shprehje që vlen për djalin tim Hunter dhe vëllaun e tij Beau. Ajo tha mos harroni Joe: Ju jeni të definuar nga kurajo dhe besnikëria juaj”.

“Mendoj se kjo është arsyeja pse ne dy e duam kaq shumë Kosovën. Beau jo vetëm që e kreu punën e tij por ai kishte ardhur në Kosovë sepse e donte historinë, kulturën dhe njerëzit e këtij vendi. 5, 10, 20, 60 vite e tutje nipër, stërnipër, stërmbesa dhe çdo Biden i lindur do të vizitojë Kosovën. Çdo Biden do të udhëtoj për të parë monumentin kushtuar familjes së tyre”, kishte shkruar më tej tanimë presidenti i SHBA-së, Joe Biden.