Shërbimi sekret

BIA serbe pranon që e kidnapoi Sanduloviqin pasi vizitoi Prekazin, por tenton të mashtrojë duke thënë se nuk e rrahën për vdekje

Agjencia për Siguri dhe Informim e Serbisë (BIA) sot ka mohuar pretendimet e kryetarit të Partisë Republikane, Nikolla Sanduloviq, për sjellje të paligjshme të anëtarëve të saj dhe ka theksuar se nuk ka pasur shkelje të lirive dhe të drejtave, as përdorim të paligjshëm të forcës fizike ndaj Sanduloviqit, transmeton Ballkani.info.

“Anëtarët e BIA-s ndërmorën aktivitete që synonin sqarimin e historisë së veprimtarisë së paligjshme të Sanduloviq-it, të cilën prokurori kompetent e cilësoi si vepër penale të nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare nga neni 317 i KP të RS-së”, thuhet në deklaratën e BIA-s.

“Duke thënë gënjeshtra për sjelljet e pretenduara të paligjshme të anëtarëve të BIA-s, Sanduloviqi dhe promotorët e tjerë të pavarësisë së të ashtuquajturës Kosovë duan të dezinformojnë dhe shqetësojnë opinionin vendas dhe të huaj, duke dëmtuar reputacionin e BIA-s dhe destabilizojnë situatën e sigurisë në Serbi”, thuhet në fund të deklaratës së BIA-s.

Megjithatë, e vërteta është krejtësisht ndryshe, pasi që faktet flasin për rrahje brutale dhe dhunë psikike ndaj Sanduloviqit nga pjesëtarët e BIA-s. Madje ai ishte marrë nga pjesëtarët e BIA-s pasi ishte kthyer nga Kosova dhe familja e tij nuk e kishte ditur fare.

Pasi u rrah, ai u dërgua në spitalin ushtarak të Beogradit, derisa avokati i tij dhe familja publikuan fotografi në gjendje të rëndë, ku më pas u konfirmua se atij i ishin thyer shtatë brinj.

Vajza e tij tha se në mesin e atyre që e rrahën Sanduloviqin ishte edhe Milan Radoiçiq, terroristi serb që sulmoi Kosovën më 14 shtator të vitit të kaluar.

Sanduloviq u kidnapua nga shërbimi sekret serb pasi publikoi edhe një video ku shihet duke e nderuar Adem Jasharin dhe familjen e tij në Prekaz. /Ballkani.info/