Bettel: Nuk ka rrugë speciale për BE, duhet të plotësohen kushtet dhe procedurat

Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, tha se Kosova duhet të plotësoj kushtet dhe procedurat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Gjatë një konference për medie pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, Bettel tha se BE nuk ka rrugë speciale për asnjë shtet për anëtarësim.

“Shtylla kryesore e BE-së nuk është ekonomia por të drejtat dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar ai shtet. Për neve ju jeni pjesë e familjes sonë. Kjo është rruga për të gjitha shtetet, nuk ka rrugë tjetër për anëtarësim në BE. Mos harroni se ne si politikanë marrim vendime por popujt janë ata që i marrin vlerat ose vuajtjet nga këto vendime. Këtë nuk duhet ta harrojmë për neve ju jeni pjesë e familjes sonë dhe po ashtu folëm për nuk ka linja të shpejta për BE, ka procedura edhe për Ukrainën po ashtu flitet, nuk ka rrugë të shpejtë, ka procedura dhe kushte të cilat përmbushen dhe atë jemi duke e pritur. Kjo është situata për të gjitha vendet kandidate, nuk kemi rrugë speciale për asnjë shtet”, tha ai.

Bettel po ashtu foli edhe për situatën në veri të Kosovës, ku tha se kur është planifikuar vizita në Kosovë dhe Serbi, nuk ka qenë situata e tensionuar, derisa bëri thirrje për dialog dhe gjetjen e një zgjidhjeje.

“Nuk jemi këtu për të gjykuar por dëgjuar dhe të ndërtojmë rrugë në mes të fqinjëve të cilët nganjëherë nuk janë shumë të lehta të ndërtohen, është me rëndësi të shkëmbejmë dhe dëgjojmë.

Është një udhërrëfyes nga BE-ja dhe Borrell. Nuk duhet të harrojmë se lufta e parë botërore është filluar këtu dhe lufta e fundit ka filluar në ish-Jugosllavi dhe duhet të tejkalojmë çdo rrezik për kriza nga të cilat populli vuan më së shumti”, tha ai.

Bettel bëri thirrje edhe për respektimin të drejtave të komuniteteve pakicë në Kosovë.