Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Betim Gjoshi, ka reaguar ndaj deklaratës së Komisionares Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cila ka kritikuar ndryshimet e miratuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Kos ka deklaruar se këto ndryshime bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian dhe janë të papranueshme.
Në reagimin e tij, Gjoshi i ka bërë thirrje komisionares evropiane që fillimisht ta lexojë ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, duke theksuar se ai nuk e cenon në asnjë pikë pavarësinë e gjyqësorit.
“Zonja Kos, së pari, lexojeni ligjin e miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në mënyrë që të kuptoni përmbajtjen e tij. Së dyti, në asnjë pikë të vetme ligji nuk e cenon pavarësinë e gjyqësorit”, ka shkruar Gjoshi.
Ai ka akuzuar gjyqtarët e Dhomave të Specializuara për abuzim me ligjin dhe veprime arbitrare, duke pretenduar se kjo gjykatë nuk ka respektuar standardet evropiane të drejtësisë.
“Kosova i ka besuar dhe gjyqtarët kanë abuzuar me ligjin që ishte i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, duke kaluar në arbitraritet, saqë Dhomat e Specializuara vetëm gjykatë s’mund të quheshin. Ato i ngjanin kohërave të errëta nëpër të cilat ka kaluar Europa”, ka deklaruar ai.
Sipas Gjoshit, kritikat e Bashkimit Evropian duhet të drejtohen ndaj funksionimit të Gjykatës Speciale, e jo ndaj ndryshimeve ligjore të miratuara nga Kuvendi.
Ai ka kritikuar edhe paraburgimin disavjeçar të ish-drejtuesve të UÇK-së, duke pretenduar se ata po mbahen pa fakte dhe dëshmi që i ndërlidhin me akuzat.
Në fund, Gjoshi ka theksuar se ligji është miratuar nga më shumë se tri të katërtat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, gjë që, sipas tij, dëshmon mbështetje të gjerë politike dhe qytetare.
“Ligji është miratuar nga më shumë se 3/4 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës – dëshmi e mbështetjes së gjerë politike e qytetare dhe ju duhet ta respektoni atë”, ka përfunduar Gjoshi.







