Beteja për Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara

Në një sallë të sigurtë të Kongresit, Senatorët amerikanë kanë filluar të shqyrtojnë raportin konfidencial të dorëzuar nga FBI-ja pas hetimit të akuzave ndaj zotit Kavanaugh. Emërimi i tij për të plotësuar vendin vakant në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara duket se po i afrohet votimit përfundimtar, ndoshta ditën e shtunë. Udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, njoftoi se votimi për procedurë mund të zhvillohet që të premten.

Senatori McConnell hapi rrugën për votimin, pa iu referuar hetimeve më të fundit të FBI-së për akuzat ndaj zotit Kavanaugh për sulm seksual ndaj pedagoges së psikologjisë Christine Blasey Ford, gjatë periudhës që ata ishin nxënës të shkollës së mesme.

Gjetjet e FBI-së nuk parashikohe të bëhen publike.

“Do të ketë mjaftueshëm kohë që anëtarët të njihen me materialet shtesë përpara se të votojnë për t’i dhënë fund debatit për këtë çështje ditën e premte, në mënyrë që të ecim përpara me votimin e kandidaturës së gjykatësit Kavanaugh”, njoftoi Senatori McConnell.

Dy gra të tjera e akuzuan zoti Kavanaugh për sjellje të papërshtatshme seksuale. Ai i mohon të gjitha akuzat e bëra ndaj tij.

Asnjë senator demokrat nuk ka dalë në mbështetje të gjykatësit dhe tre prej senatorëve kryesorë republikanë ende nuk kanë bërë të ditur pozicionin e tyre.

Nëse konfirmohet, zoti Kavanaugh, gjykatës i apelit dhe personalitet konservator i gjyqësorit, do të zërë vendin e gjykatësit Anthony Kennedy, i cili doli në pension. Gjykata e Lartë po vepron tashmë me tetë anëtarë nga nëntë që ka gjithësej.