Beteja për bukën, Peci: Kosova siguron 73 për qind të nevojave me grurë

Agresioni rus mbi Ukrainën ka bërë që shumë çmime të produkteve ushqimore të rriten. Mes tyre edhe ai i miellit e rrjedhimisht edhe i bukës. Punimi i tokës është lënë anash në Kosovë për shumë vite. E kjo për shumë arsye.

Rritja edhe e çmimit të derivateve të naftës dhe tregu jo i sigurt, ka bërë që fermerët të mos jenë shumë entuziastë të merren me bujqësi.

Faton Peci, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, tha se sigurimi i i ushqimit është një temë që po e preokupon tërë globin, madje edhe liderët e superfuqive botërore, prandaj edhe ne, si Kosovë, nuk kemi si mos të jemi të prekur karshi rritjes së çmimeve në tregun botëror.

Sipas tij, krahas kësaj nevoje janë bërë edhe angazhimet institucionale dhe ato të bizneseve dhe fermerëve, për të zgjeruar kapacitetet për të siguruar bukën.

“Në kuadër të angazhimeve tona, si Ministri edhe si Qeveri, kemi tentuar të japim maksimumin, brenda mundësive dhe kapaciteteve buxhetore, që të rrisim nivelin e subvencioneve”, tha ai në RTK.

Ministri Peci foli edhe për shakatarët e krizës globale, si ajo e pandemisë, nga Covid-19, ashtu edhe luftën në Ukrainë pas agresionit rus atje, që ndikuan në shkëputjen e prodhimit, por edhe transportit.

“Kemi rritur përkrahjen në bujqësi, në rritjen e sipërfaqeve, kemi rritur përkrahjen për subvencionimin e mbjelljes së grurit me 474 euro për hektar, apo 216 për qind më shumë se vitin e kaluar, kemi rritur subvencionin për dëmet për disa kultura bujqësore…Kemi një rritje të sipërfaqes me 15 për qind të drithërave të bardha, kjo për shkak të krizës, pas pandemisë e agresionit rus në Ukrainë”, tha ai.

Ministri Peci foli edhe për parashikimet rreth rendimenteve që priten këtë vit.

“Fillimisht janë pritur rendimente më të larta, por më vonë disa të reshura kanë ulur këto parashikime. Rendimentet priten të jenë nga 4.000 deri në 4.500 tonë, për një hektar”, tha ministri.

Nevojat e tregut në Kosovë, sipas ministrit Peci, do të përmbushën rreth 73 për qind, kjo edhe sipas vlerësimeve të ekspertëve. Nevojat e Kosovës janë për rreth 4000 000 tonë grurë, kurse Kosova pritet të siguroi mbi 260 000 tonë grurë.

Zejnullahu: Ministria u vonua me subvencionet për grurin, vitin që shkoi

Edhe Bashkim Zejnullahu, kryetar i Shoqatës së Mullisëve foli lidhur me atë se a do të mund të kemi mbi 70 për qind nga prodhimi vendor i grurit, dhe sa do t’i mbulojmë nevojat tona me grurë.

“ Jam këtu në kuadër të përfaqësimit të mullisëve dhe jo të fermerëve, por mbajmë evidencë për këtë se është më se etike për industrinë tonë që ne të kemi një lidhje të drejtpërdrejt me fermerët, sepse ata janë prodhues të këtij produkti dhe ne varemi prej prodhimit, i cili ndodhë në Kosovë”, tha Bashkim Zejnullahu, kryetar i Shoqatës së Mullisëve.

Tutje ai theksoi se forma e subvencionimit që ka ndodhur në Kosovë tash kjo e reja nga Ministria ka qenë e vonuar për industrinë e grurit të viti të kaluar, por sigurisht do të jetë shumë e rëndësishme këtë vit.

“Mendoj se qeveria e ka bërë një hap të rëndësishëm në rritjen e prodhimit të grurit për t’i mbuluar sa më shumë me prodhimet e tona dhe unë mendoj që sot jemi diku te 60 përqindëshi edhe presim më shumë qysh e ceku ministri 73 për qind. Presim që me reformën re të subvencionimit do të arrijmë në 80 për qind të furnizimit të nevojës së brendshme me grurë”, deklaroi, mes tjerash, Zejnullahu.