Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, i cili garon me numrin 2, ka vlerësuar punën dhe angazhimin e kandidatëve të AAK-së nga Rahoveci, duke i cilësuar ata si njerëz të dëshmuar në shërbim të qytetarëve dhe të përkushtuar ndaj zhvillimit të komunës.
Gjatë një aktiviteti në Rahovec, Tahiri tha se ky qytet vazhdon të nxjerrë figura me integritet dhe përvojë, të cilat kanë fituar besimin e qytetarëve përmes punës së tyre në nivel lokal dhe në ekipin e kryetarit të komunës, Smajl Latifi.
Sipas tij, kandidatët e Rahovecit kanë dëshmuar përgjegjësi dhe përkushtim në detyrat që kanë ushtruar, duke njohur nga afër sfidat dhe nevojat e qytetarëve.
Tahiri theksoi se zhvillimi i bujqësisë, forcimi i ekonomisë lokale dhe krijimi i mundësive të reja për investime e punësim mbeten ndër prioritetet kryesore të përfaqësuesve të AAK-së në këtë komunë. Ai shtoi se funksionalizimi i Zonës Ekonomike 128 është një nga objektivat konkrete që do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të Rahovecit.
Kandidati për deputet vlerësoi gjithashtu angazhimin e vazhdueshëm të përfaqësuesve lokalë në mbrojtjen e interesave të bujqve, vreshtarëve dhe qytetarëve të Rahovecit, duke theksuar se ata kanë qëndruar pranë komunitetit edhe në periudhat më sfiduese.
“Ata nuk janë turistë politikë, por njerëz me të cilët flasim çdo ditë, që punojnë fort dhe që me bindje mbrojnë interesin e qytetarit”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka bërë thirrje që qytetarët të mbështesin kandidatë që, sipas tij, kanë dëshmuar përkushtim dhe punë konkrete për zhvillimin e Rahovecit dhe mirëqenien e banorëve të tij.







