Besnik Tahiri: Verbëri politike, Kurti ka rrezikuar çdo aspekt të shtetit

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka folur në seancë të Kuvendit të Kosovës lidhur me situatën e fundit në veri.

Tahiri ka thënë se Kurti e ka reduktuar sovranitetin në një oborr dhe në një zyrë të një kryetari.

“Sovraniteti i Kosovës është reduktuar në një oborr, në një kopsht e në një zyre të një kryetari që kryeministri e quan herë me k të madhe e herë me k të vogël. Njësitet tona po e mbrojnë një zyre e cila e ka shumë shumë të diskutueshme legjitimitetin demokratik”, tha Besnik Tahiri.

“Siç e ka pasur kryeministri mbështetjen në shumë tema, e ka mbështetjen në mbrojtjen e pikave kufitare, por nuk e ka mbështetjen tonë e nuk do të ketë nëse këtë pjesë të rëndësishme të subjektivtetit tonë shtetëror e ka reduktuar në një konflikt të hapur mes Republikës së Kosovës që përfaqësohet nga shumica parlamentare dhe vendeve që kanë qenë në krahë tonë në shpalljen, njohjen e anëtarësimin e secilës orë të institucioneve të Kosovës”, tha ai.

Tahiri tha se Kurti nuk ka legjitimitet pasi ka rrezikuar çdo aspekt të shtetit.

“Për ne qasjen që ju e keni marrë është jo vetëm verbëri politike, por qasje e verbëruar institucionale të një besimi 51%. Është e rrezikshme. Për ne legjitimiteti yt politik ekziston me 14 shkurt, jo tani kur ke rreziku çdo aspekt të shtetit”, tha Besnik Tahiri.