Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka uruar Dr. Elmi Berisha për rizgjedhjen në krye të Federata Panshqiptare VATRA, me seli në New York.

Përmes një postimi, Tahiri e cilësoi rizgjedhjen e Berishës si një vlerësim dhe besim të merituar për punën, përkushtimin dhe angazhimin e tij të vazhdueshëm në shërbim të çështjes kombëtare.

Sipas Tahirit, gjatë dekadave të fundit, Berisha ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në proceset që kanë shoqëruar Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar, duke qenë një zë i fuqishëm në mbrojtje të interesave kombëtare në Washington, Tiranë, Prishtinë dhe kudo ku është kërkuar angazhim atdhetar.

Deputeti i AAK-së vlerësoi gjithashtu rolin e Vatrës nën drejtimin e Berishës, duke theksuar se organizata ka vazhduar të forcojë misionin e saj historik në promovimin e vlerave kombëtare.

Në fund të urimit, Tahiri i dëshiroi Berishës suksese në mandatin e ri, duke shprehur bindjen se strategjia e re e Vatrës do ta forcojë edhe më tej rolin e saj si një shtyllë e rëndësishme e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe si një zë i fuqishëm në mbështetje të çështjes kombëtare.