Besnik Tahiri nga AAK-ja nuk ka dashur t’i konfirmojë, por as të mohojë, emrat e AAK-së që Klan Kosova i ka publikuar si emra potencialë për pozitat qeveritare në Qeverinë Hoti.

“Ajo që unë mund të konfirmoj sot se në mes të LDK-së dhe AAK-së ka një dakordim për të hyrë në një koalicion. Po ashtu konfirmoj se kemi pasë disa takime, përderisa emrat nuk votohen në Parlament dhe nuk dakordohet trungu i plotë askush nuk mund të konfirmojë një gjë të tillë”, ka thënë Tahiri në Info Magazine.

“Kishte me qenë e pasinqertë dhe e padrejtë që të konfirmoj diçka që nuk është konfirmuar zyrtarisht. Të gjithë emrat mund të jenë potencialisht në ekzekutiv edhe në këtë kohë kur jemi në proces të finalizimit të një marrëveshje nuk mund të konfirmoj  dhe as të mohoj diçka të tillë”.

Por, kur mund të kemi një marrëveshje LDK-AAK-Nisma?

“Besoj që shumë shpejt, por kur saktë nuk mund ta them. Besoj që këtë javë marrëveshja do të finalizohet dhe kjo qeveri do të votohet”.

Tahiri në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se në AAK janë diskutuar dhe ka pasë debat për emrat që do të jenë pjesë e ekzekutivit.

“Kemi pasë disa takime një pas një në parti. Ka pasur debat, dhe realisht këta emra që janë përmendur e kanë marrë besimin e partisë. Jo pse nuk ka të tjerë më të mirë, sepse jam i bindur se ka kuadro edhe më të mirë dhe më të përgatitur se emrat që janë përmendur, por në këto rrethana është menduar të shkohet me këtë qasje”.

Ai ka thënë se numri i ministrive pritet të mbetet i njëjtë, derisa ka shtuar se duhet një riorganizim funksional i qeverisë.