Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me numër 2, Besnik Tahiri, ka theksuar rëndësinë e unitetit dhe përgjegjësisë politike në një kohë sfidash dhe luhatjesh globale, duke vlerësuar se Kosova nuk ka luksin për eksperimente.

Përmes një postimi publik, Tahiri ka deklaruar se është koha për veprim të përbashkët dhe për ndërtimin e një shteti të fortë me perspektivë të qartë euroatlantike.

“Sot, mes luhatjesh globale, nuk ka kohë për eksperimente. Është koha për unitet, përgjegjësi dhe veprim për një shtet të fortë me perspektivë,” ka shkruar ai.

Tahiri ka rikujtuar edhe momentet kyçe historike të shtetësisë së Kosovës, duke i quajtur dy “mrekulli” lirinë dhe pavarësinë, ndërsa ka theksuar se synimi i radhës duhet të jetë anëtarësimi i Kosovës në NATO.

“ Kosovës i kanë ndodhur dy mrekulli, duhet të ndodh edhe e treta – anëtarësimi i vendit në NATO,” ka theksuar kandidati i AAK-së.

Besnik Tahiri është kandidat për deputet me numër 2 nga radhët e AAK-së dhe ka bërë thirrje për angazhim të përgjegjshëm politik në funksion të sigurisë, stabilitetit dhe së ardhmes euroatlantike të Kosovës.