Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me numër 2, Besnik Tahiri, ka prezantuar vizionin e tij për zhvillimin e sektorit energjetik, duke theksuar se Kosova ka potencialin të shndërrohet në një superfuqi rajonale energjetike.

Në një postim në rrjetet sociale, Tahiri u shpreh se përmes investimeve në kapacitetet energjetike, Kosova mund të sigurojë prodhim të qëndrueshëm të energjisë, çmime më të përballueshme për qytetarët dhe bizneset, si dhe siguri më të madhe energjetike.

Sipas tij, një sektor i fortë energjetik është bazë për ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe konkurruese, duke e pozicionuar Kosovën si faktor të rëndësishëm në rajon.

Ky angazhim vjen në kuadër të fushatës zgjedhore të AAK-së, e cila po e vendos energjinë dhe zhvillimin ekonomik ndër prioritetet kryesore të programit të saj qeverisës.