Prishtina dhe Kosova po shndërrohen gjithnjë e më shumë në qendër të kompanive që ofrojnë shërbime për tregjet ndërkombëtare, duke u pozicionuar si lidere në Ballkanin Perëndimor. Kështu ka deklaruar Besnik Tahiri, kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me numër 2, përmes një postimi publik.
Tahiri ka theksuar se kompani vendore, si Evro Target, janë shembull i qartë i kapaciteteve dhe kompetencës që Kosova ka për të konkurruar në nivel global. Sipas tij, suksesi i sektorit të Teknologjisë së Informacionit është dëshmi konkrete e kësaj, pasi ky sektor gjeneron me qindra milionë euro eksporte dhe kontribuon ndjeshëm në përmirësimin e bilancit tregtar të vendit.
Ai ka vënë në pah se këto kompani po krijojnë vende pune cilësore, po ndihmojnë në mbajtjen e të rinjve në Kosovë dhe po ndërtojnë një ekonomi më konkurruese dhe të qëndrueshme.
Në këtë kontekst, Tahiri ka theksuar edhe rolin e shtetit, duke e cilësuar atë si kyç për zhvillimin e sektorit privat. “Roli i shtetit është i qartë: mbështetje konkrete, politika të zgjuara dhe pa barriera të panevojshme për zhvillimin e sektorit privat,” ka deklaruar ai.
Deklarata e Tahirit vjen në kuadër të angazhimeve të tij politike dhe fokusit të AAK-së për fuqizimin e ekonomisë, mbështetjen e inovacionit dhe rritjen e konkurrueshmërisë së Kosovës në tregjet ndërkombëtare.







