Besnik Tahiri, kandidat për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me numrin 2 në listën zgjedhore, ka prezantuar disa nga zotimet programore të subjektit të tij, me fokus të veçantë rolin e komunave në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Përmes një postimi, Tahiri ka theksuar se komunat janë niveli institucional ku qytetarët e ndjejnë drejtpërdrejt “dorën e shtetit”, pasi aty ofrohen shërbimet e para dhe më të afërta për ta. Ai ka bërë të ditur se programi i AAK-së përfshin gjithsej 50 zotime programore, ndërsa ka ndarë disa prej tyre që lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin lokal dhe mirëqenien e qytetarëve.

Ndër zotimet e përmendura janë ndërtimi i zonave ekonomike nëpër komuna me financim nga niveli qendror, ndarja e buxhetit për zbatimin e Kontratës Kolektive, rregullimi i shtretërve të lumenjve për zhvillim të turizmit dhe rekreacionit, si dhe rritja e fondit për Programin Nacional për Efiçiencën e Energjisë.

Po ashtu, programi parasheh një program kombëtar për impiantet e trajtimit të ujërave të zeza dhe mbeturinave, ndërtimin e muzeve historike në çdo komunë për dokumentimin e memories kolektive, finalizimin e infrastrukturës për Lojërat Mesdhetare 2030, si dhe investime në transportin publik në të gjitha vendbanimet e Kosovës.

Tahiri ka theksuar se këto zotime synojnë zhvillim të qëndrueshëm lokal, përmirësim të shërbimeve publike dhe rritje të cilësisë së jetës për qytetarët në çdo komunë të Kosovës.