Besian Mustafa tregon qëndrimin e LDK-së për çështjen e Presidentit

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, ka thënë se fokusi kryesor kësaj partie është dialogu në politikë.

Për presidentin, Mustafa tha se ai duhet që të përfaqësojë spektrin e gjerë politik dhe kërkesat e qytetarëve.

Sipas tij, për të zgjedhur të parin e vendit kërkohet dialog dhe kompromis nga të gjitha partitë.

“Sa i përket çështjes së presidentit është evidente që duhet pasur një diskutim të gjerë të spektrit politik për zgjidhje të presidentit kjo është e thënë edhe në Kushtetutë”.

“Pra është kusht kushtetues që duhet pasur të paktën 80 deputet atë ditë në sallë për të votuar një president që përfaqëson spektrin e gjerë politik, por edhe të ideve dhe kërkesave të qytetarëve duke shkuar përtej partive politike”.

“Pra kjo kërkon dialog dhe kompromis nga të gjitha partitë politike pavarësisht mendimeve dhe qëndrimeve individuale që mund të kemi. Pra kjo nuk varet nga qëndrimet e partive politike është rregull kushtetuese”.

Mustafa theksoi se presidenti i vendit duhet të jetë sipas normave kushtetuese, duke pasur përkrahjen e 80 deputetëve në Kuvend, raporton EO.

“Do të duhej të ishte një president ashtu siç e cakton edhe Kushtetua, i cili mund ta ketë përkrahjen e 80 deputetëve. Pra një president sipas normave kushtetuese”.