Besarta rrëfen bisedën e fundit me babain e saj, Hamëz Jashari si dhe momentet e sulmit në Prekaz

Vajza e heroit të kombit Hamëz Jashari, Besarta, në emisionin “Personale” në RTV Dukagjini ka ardhur me një rrëfim të veçantë për sulmin ndaj familjes së saj 21 vite më parë në Prekaz.

Besarta rrëfen se fëmijëria e saj deri në momentin e sulmit në Prekaz, ishte e zakonshme si e gjithë fëmijëve të tjerë.

E rritur në një familje të madhe më shumë fëmijë, ajo rrëfen se për shkak se Familja Jashari ishte gjithmonë e përndjekur, ata ishin mësuar me armët.

Për shkak të rrethimit të kohë kohëpaskohshëm të shtëpive të tyre nga ana e serbëve, Besarta thotë fëmijët ishin detyruar të ndërpresin edhe shkollën për periudha të caktuara.

Besarta rrëfen edhe bisedën e fundit që kishte pasur me babain, mëngjesin e 5 marsit 1998, datë kur kishin filluar luftimet intensive mes ushtrisë serbe dhe Familjes Jashari.

“Ishte mëngjesi i hershëm i datës 5 mars. Zhurmat e mëdha të tankeve më kanë prishur edhe gjumin. Kur dola në dhomën tjetër e pashë se nëna ishte zgjuar para mesh. Më tha të dal të marrë disa dru, dhe bashkë me mua erdhi edhe ajo. Kur dolëm në oborr babushi ishte jashtë dhe po dëgjonte. I thashë çka janë babush gjithë këto zhurma të mëdha. Më tha zhurmat e tankeve, por mos u shqetëso se po shkojnë te lagjja e Lashtakëve. Më pas i tha nënës që ne të futeshim brenda”.

Ajo, përcjell Telegrafi, rrëfen më tej se pasi kishin filluar luftimet kishte dëgjuar duke kënduar të atin dhe vëllain Kushtrimin, këngën “Për mëmëdhënë”. Përderisa ata po këndonin, Besarta thotë se mendonte që gjithçka do të shkonte mirë.

Ajo shton më tej se me 5 mars e para që ishte vrarë ishte bashkëshortja e Adem Jasharit, pasi po shkonte në katin e sipërm të merrte municion.

“Deri më 7 mars të gjithë tjerët kanë qenë të gjallë, përpos gruas së Ademit që ishte vrarë duke u ngjitur në shkallë derisa po shkonte të merrte municion në katin e sipërm të shtëpisë”, rrëfen ndër të tjera Besarta Jashari.