“Besa të koftë, fëmijët sot i ke në shtëpi” – flet babai i djemve të mitur me të meta mendore që po vazhdojnë të mbahen në burg

Dy djemtë e mitur me nevoja të veçanta nuk u liruan as sot nga paraburgimi edhe pse po mbahen tash e 1 muaj. Sipas deklaratës të babait të dy djemve, S.K për Insajderin, gjykatësja i kishte thënë se fëmijët e tij do të lirohen sot. Babai i fëmijëve po ashtu kishte tentuar t’i vizitonte me leje të gjykatëses, por i njëjti nuk u lejua.

Insajderi ditë më parë raportoi se dy djemtë H.K dhe P.K (emra të njohur për redaksinë), po mbahen në paraburgim për veprën “Lëndim i lehtë trupor”.

Të miturit, përveç që nuk u liruan nga paraburgimi pas ankesës së avokates Blerta Shyqeria, e cila kërkoi që aktvendimi të ndryshojë, nuk u liruan as sot, kur përfunduan ditët e paraburgimit.

Sipas babit të djemve, gjyqtarja dhe kryeprokurorja e rastit i kishin thënë se fëmijët e tij do të lirohen sot, pasi edhe e kishin kryer masën e paraburgimit.

Madje, sipas tij sot kishte shkuar edhe për vizitë, por nuk ishte lejuar t’i shihte fëmijët.

“E mora lejen thashë të shkoj t’i shoh fminë, gjyqtarja Elife Uka më tha sot fëmijët i ke në shtëpi, besa të koftë. Le më që nuk i pashë fëmijët por as nuk m’i liruan – ata e kanë kalu 30 ditëshin ata”- tha S.K, për Insajderin.

Duke shtuar se: “Edhe gruas sime kryeprokurorja Sheribane SelimiMuçaj i ka thënë se sot fëmijët i ke në shtëpi”

Më poshtë rrëfimi i S.K (emër i njohur për redaksinë) që Gazeta Insajderi e kishte publikuar ditë më parë:

Sipas babait të dy djemve, H.K – 16 vjeçar dhe P.K – 14 vjeçar, të cilët ishin fillimisht në arrest shtëpiak, po mbahen padrejtësisht në paraburgim, pasi vepra penale për të cilën akuzohen është “Lëndim i lehtë trupor”, dhe se djali tjetër i tij H.K është i pafajshëm.

“Fillimisht P.K e kam djalë, është në paraburgim që 20 ditë, për veprën “lëndim i lehtë trupor”. Edhe djali tjetër H.K ka anketa sociale,psikologët e kanë trajtu – anketa është në Gjykatë dhe në shërbimin korrektues. Ka rënë në burg pa pikën e fajit, pasi shkaktar është djali tjetër me nevoja të veçanta, është hera e dytë që më bjen në burg për lëndim të lehtë trupor” – tha ai.

Ai poashtu fajësoi gjykatësen Elife Uka, e cila sipas tij ankesën e bërë në Gjykatë nuk e ka dërguar në apel – duke thekuar se meqë fëmijët janë me të meta mendore nuk kanë arritur ta mbajnë arrestin shtëpiak.

P.K është me ngecje mendore ka me dhjetëra ekzaminime, edhe H.K e kam pasë shumë herë te psikologu, ku e dinë ata se çfarë është arresti shtëpiak. H.K po i bëhet e padrejtë pasi vetëm e ka mbikqyrë P.K. Gjykatësja Elife Uka m’i kalbi djemtë, ajo nuk ka lënë të dërgohet ankesa në gjykatë” – tha S.K, babai i dy djemve (emër i njohur për redaksinë).

Tutje, babai i dy djemve, bëri me dije se djemtë e tij janë trajtuar tek psikologët, duke shtuar se P.K madje as nuk vijonte shkollën, pasi i njëjti është përjashtuar disa herë.

Vërtetim që P.K nuk vijon shkollën

Dy të miturit me të meta mendore po vazhdojnë të mbahen në paraburgim edhe përkundër ankesës së avokates Blerta Shyqeria.

Gazeta Insajderi kontaktoi me avokaten, e cila bëri të ditur se përgjigja e kërkesës që parashihet të kthehet për një javë nuk ka ardhur tash e dy javë.

Ne kemi ushtru një ankesë kundër masës së paraburgimit, fillimisht ndaj të miturit është caktuar masa e arrestit shtëpiak, dhe meqë kjo masë është thyer, gjykata ka vendos për masën e paraburgimit. Brenda 24 orësh ne kemi parashtruar kërkesën në gjykatën e apelit dhe tash e dy javë apeli neve nuk na është përgjigjur. Kështu që nuk kemi marrë ende përgjigje të saktë se çfarë është vendosur në lidhje me ankesën tonë” – tha avokatja Shyqeriu për Gazetën Insajderi.

Më poshtë ankesa e plotë dërguar në Gjykatën e Apelit.