Besa Kokëdhima anuloi pjesëmarrjen në “Kënga Magjike”, reagon Ardit Gjebrea

Këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Besa Kokëdhima, të premten njoftoi fansat e saj se kishte tërhequr pjesëmarrjen e saj nga festivali “Kënga Magjike 2019”.

Ajo tha se ishte për të tepër e papërballueshme që në situatën e rëndë në të cilën po kalon Shqipëria, që të dalë e të performojë para publikut.

Kështu Besa përmes një njoftimi zyrtar të bërë në rrjetet sociale Instagram dhe Facebook, tregoi se ajo nuk do të jetë prezente në netët finale të festivalit që zhvillohen në datat 5, 6 dhe 7 dhjetor 2019.

Ndërkohë, në lidhje me këtë vendim ka reaguar producenti i festivalit, Ardit Gjebrea, i cili i ka shkruar artistes në Instagram, duke i thënë se pjesëmarrja e saj vetëm sa do të ndihmonte solidarizimin me ngjarjes, pasi sivjet festivali ka vendosur që me të gjitha fitimet nga biletat, të rindërtojë një shtëpi për një nga familjet e prekura nga tërmetet.

“Besa e dashur, të thashë që Kënga Magjike këtë vit do të ketë misionin ‘kendoj per te ndertuar’ dhe të gjithë bashkë do kontribuojmë për ata që kanë nevojë. Kam qënë këto ditë në Thumanë dhe vendosëm që me të ardhurat nga biletat të ndërtojmë një shtëpi nga e para dhe kjo gjë do të transmetohet të dielën në E diela shqiptare. Secili bën atë që ndjen, të gjithë artistët janë bashkë këtë herë për të ndërtuar. Të lutem mos mungo! Të gjithë ndiejmë dhimbje, por te gjithe bashke mundemi. Edhe artistët e huaj kanë ardhur për këtë kauzë! Të presim!”, ka shkruar Ardit Gjebrea në komentin e tij.