Bërnabiqi ‘shqetësohet” për vizat e kosovarëve: Me këtë sjellje s’mund ta bindin BE-në

Kryeministrja serbe Ana Bërnabiq deklaroi se Prishtina po vazhdon me veprimet e njëanshme të cilat nuk i kontribuojnë stabilitetit rajonal dhe se shpreson që “bota do ta shohë se kush është konstruktiv, e kush e kundërta e kësaj”.

E pyetur nga gazetarët për taksën që e vendosi Qeveria e Ramush Haradinajt për importin nga Serbia, si dhe për Statutin e Trepçës, të cilin e miratoi Kuvendi i Kosovës, Bërnabiqi tha se Prishtina e bën gjithçka të kundërt nga ajo që do të kontribuonte që dy vendet t’i kthehen dialogut.

Ajo pret se veprimet e tilla do t’i kthehen si bumerang Prishtinës, respektivisht qytetarëve, para së gjithash shqiptarëve të Kosovës.

“Nëse ata llogarisin se kjo është forcim i pozitave para do farë negociatave të ardhshme, unë mendoj se ndodh krejtësisht e kundërta. Nuk e di se si do të mbështeten në partneritetin me vendet anëtare të BE-së rreth liberalizimit të vizave, nëse tashmë dy muaj e gjysmë thonë ‘jo’ për të gjitha kërkesat e tyre. Si të llogarisin në përkrahjen e SHBA-ve kur Trumpi kërkon që të përmbahen nga vendimet e njëanshme, kurse ata marrin të reja, tha Bërnabiqi.