Bërnabiq: Shpresoj që Kosova ta heq taksën pas takimit të Berlinit

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, përsëri ka thënë se nuk pret ndonjë zgjidhje për Kosovën në takimin e Berlinit.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet më 29 prill në Berlin, nuk pret që të ketë ndonjë propozim për zgjidhjen me Kosovën.

Sipas saj arsyeja pse nuk pret ndonjë zgjidhje për Kosovën është se, Serbia nuk është një vend për të cilin mund të bëhen zgjidhjet.

Bërnabiq në një intervistë dhënë për “Radio Beogradin”, transmeton lajmi.net, ka thënë se, Serbia është një vend që kërkon dhe merr pjesë në bisedimet rreth fatit të qytetarëve të saj.

“Unë mendoj se të gjithë partnerët tanë e dinë se Serbia nuk është një vend që shërben për zgjidhje të gatshme dhe unë mendoj se sot është mjaft e qartë se Serbia është një vend që kërkon dhe merr pjesë në bisedimet për fatin e shtetit, kështu që unë nuk pres që partnerët tanë të përpiqen dhe unë nuk mendoj se ata vërtet kanë për qëllim të dalin me një zgjidhje të gatshme në çdo kohë”, u shpreh Bërnabiq.

Tutje ajo ka thënë se, Serbia sot është në një pozitë krejtësisht të ndryshme falë politikës dhe këmbënguljes së presidentit Aleksandar Vuçiq, duke shtuar se tashmë shteti serb, ka edhe një imazh ndryshe dhe gëzon respekt ndryshe në arenën politike botërore.

Në këtë intervistë Bërnabiq është pyetur nëse për shkak të vendosjes së taksës nga ana e Kosovës, Serbia do t’i përgjigjet me ndonjë kundërmasë Kosovës, Bërnabiq, nuk ka pranuar të flas për këtë çështje.

“Nuk do të flisja për masa kundërthënëse konkrete. Kjo është ajo që po bën ekipi ynë dhe ne po shohim se si ta bëjmë atë në mënyrën më të mirë. Unë ende shpresoj se nuk do të ketë nevojë për futjen e një kundërmasë, shpresoj, ndoshta jam tepër naive apo shumë optimiste, që pas takimit në Berlin, Kosova mund të tërheqë vendimin për taksën”, ka thënë Bërnabiq.

Ajo ka shtuar se është e zhgënyer se si Kosova, pavarësisht presionit të Bashkimit Evropian dhe Amerikës, nuk po arrin që t’i zbatoj marrëveshjet e arritura në Bruksel.

“Jam e zhgënjyer nga fakti se kanë kaluar gjashtë muaj pasi që kanë kaluar pothuajse gjashtë vjet që nga Marrëveshja e Brukselit, ku pavarësisht presionit, kryesisht nga Brukseli dhe Uashingtoni, Prishtina nuk zbaton marrëveshjet e dakorduara, ose vazhdon me masa jo të civilizuara, siç është taksa”, u shpreh Bërnabiq.

Sipas saj, Brukseli ka mekanizma shumë më të fuqishëm për ta bërë Kosovën që të respektojë në marrëveshjen e CEFTA-s.

“Ky mekanizëm është Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, e cila për ndonjë arsye nuk e përdor. Kam biseduar edhe me përfaqësuesit e Delegacionit Evropian në Serbi dhe me disa njerëz nga Brukseli për këtë… Unë jam e zhgënjyer me Brukselin për këtë sepse do të duhej të bënte një veprim shumë më vendimtar”, tha Bërnabiq.

S’ka dialog pa heqjen e taksës

Ana Bërnabiq, në këtë intervistë e ka ritheksuar se dialogu me Kosovën nuk mund të vazhdojë pa heqjen e taksës.

“Ky vendim është në kundërshtim me kuptimin e përbashkët, është në kundërshtim me gjithçka që BE-ja po bën, kryesisht përmes Procesit të Berlinit, që është iniciativa e Kancelares Angela Merkel, kështu që është në kundërshtim me lidhjet rajonale ekonomike, transportuese dhe infrastrukturore. Për të gjithë atë që ne kemi bërë për shumë vite, për të krijuar një rajon, të gjithë së bashku në rajon dhe partnerët tanë nga BE, për të krijuar një rajon më të qëndrueshëm, më të fortë, më të integruar, duke u ofruar njerëzve një perceptim të ndryshëm dhe të ardhme të ndryshme. Ky vendim i Kosovës është kundër çdo gjëje”, ka vlerësuar Bërnabiq, transmeton lajmi.net

“Unë mendoj se vërtetë ka një minimum prej çdo minimumi, një vijë të kuqe, që vendimi për këtë masë jocivilizuese të tërhiqet dhe pastaj të vazhdohet dialogu”, deklaroi Bërnabiq.

Ajo po ashtu theksoi edhe një herë se shteti i Serbisë në një moment e ka konsideruar edhe munësinë e Arbitrazhit ndërkombëtar.

“Ne kemi nënshkruar një marrëveshje të CEFTA-s, marrëveshja e Kosovës është nënshkruar si UNMIK Kosovë. Ne po shqyrtonim nëse do të shkonim në Arbitrazh ndërkombëtar, por nëse shkon në Arbitrazh ndërkombëtar, kur biseduam me UNMIK-un, ata u deklaruan skeptik. Me të vërtetë po vijmë në një situatë kur këto kontrata nuk zbatohen, ato janë të vdekura në letër. Ju nuk keni askënd që të shkoni në atë arbitrim, UNMIK-u është i papërshtatshëm, Brukseli nuk dëshiron të respektojë Marrëveshjen e vet të Stabilizim Asociimit”, thotë Bërnabiq.

Bërnabiq shtoi se Beogradi dëshiron të qëndrojë tolerant, por është çështje kohe para se të qëndrojë.

“Dhe pastaj ne jemi të vetëm në një situatë në të cilën duam të sillemi në mënyrë të civilizuar, duam të shmangim lëvizjet tepër të ashpra, për të treguar se jemi tolerantë dhe të përgjegjshëm dhe të parashikueshëm. Në fund të fundit, mua më duket se asgjë tjetër nuk do mbetemi në dispozicionin tonë përveç kundërveprimeve”, theksoi Bërnabiq.

Kujtojmë se Kosova ka vendosur taksë prej 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës në nëntor të vitit të kaluar dhe që nga ajo kohë, Serbia ka bllokuar dialogun me Kosovën.