Bërnabiq për dënimin e Mladiqit: Haga sot ndoshta nuk e gjykoi Serbinë, por serbët gjithsesi

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se me vendimin e sotëm të Gjykatës së Hagës ndaj Ratko Mladiqit, pajtimi mes popujve është shumë më larg se që ishte në përfundim të luftës në Bosnjë më 1995. Ajo në një intervistë në “Tv Pink”, ka shtuar se vendimi i sotshëm “ndoshta nuk e ka gjykuar Serbinë, por gjithsesi serbët, po”.

Lideri i forcave ushtarake serbe në Bosnjë, Mladiq u dënua sot me burgim të përjetshëm edhe në Apel. Ai u shpall fajtor për 10 nga 11 pikat e aktakuzës, përfshirë edhe për gjenocidin në Srebrenicë.

“Sot jemi më larg nga pajtimi se që ishim para 26 vjetëve. Tash më duket se kemi një padurim më të madh mes popujve se që kishim gjatë konfliktit. Kësaj i ka kontribuuar shumë Haga. Kanë folur më herët se gjykata nuk është bërë për të pajtuar popujt, por unë nuk pajtohem me këtë, pasi po të jepnin përgjegjësi të gjithë që kanë bërë krime, gjykata do të kontribuonte në pajtim”, ka thënë Bërnabiq.