Bërnabiq: Nuk pres asgjë nga vazhdimi i sotëm i negociatave mes Beogradit dhe Prishtinës

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq ka deklaruar në Mostar se nuk pret asgjë nga vazhdimi i sotëm i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Fatkeqësisht nuk kam asnjë pritshmëri nga takimi. Nuk e shoh se si do të ndryshojë kjo dhjetë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit. Nuk e shoh gatishmërinë e Prishtinës”, u tha Bërnabiq gazetarëve.

Sipas saj, Prishtina “tashmë është shpërblyer mirë për moszbatimin e asaj marrëveshjeje”.

Kryeministrja e Serbisë ka vlerësuar se autoritetet e Prishtinës kanë shkelur Marrëveshjen e Brukselit edhe gjatë vitit 2022, duke ua mohuar dy herë të drejtën e votës serbëve në zgjedhjet e shpallura nga Beogradi.

“As BE-ja e as Kuinti nuk u përpoqën ta pengojnë këtë”, ka theksuar Bërnabiq, duke i cilësuar zgjedhjet e fundit në veri të Kosovës, të organizuara nga autoritetet e Kosovës, “kuazi-zgjedhje”.

Serbia, shtoi ajo, po përpiqet të vazhdojë të jetë tolerante, të ruajë paqen dhe njëfarë stabiliteti, pavarësisht përpjekjeve të Prishtinës për të shkaktuar destabilizimin.

Kryeministrja e Serbisë sot ka vizituar Panairin Ndërkombëtar të Tregtisë në Mostar, ku marrin pjesë 800 ekspozues nga 30 vende.